Një shpërthim i rëndë ka ndodhur në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të lënduar. Sipas të dhënave të konfirmuara zyrtarisht, nga kjo ngjarje ka humbur jetën një burrë i mosharës 83-vjeçare, i cili “është gjetur i pajetë në vendngjarje”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) bën me dije se nga bilanci paraprak, 8 persona po i nënshtrohen trajtimit mjekësor. Mes të lënduarve ndodhet edhe një fëmijë. Të gjithë personat e dëmtuar “po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan”.
Pas ngjarjes, strukturat shëndetësore janë vënë në gatishmëri për menaxhimin e situatës. MSHMS sqaron se “ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë”, ndërsa spitali rajonal ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të pacientëve.
Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë nënvizon se “në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor”. Autoritete spitalore dhe ato të shëndetësisë bëjnë me dije se informacioni mbi ecurinë shëndetësore të të lënduarve do të përditësohet në vijim, mbështetur në vlerësimet dinamike të ekipeve mjekësore.
/rtsh.al/