Saturday, 7. November 2026
Sport

Detaje të reja nga vrasja e 61-vjeçarit në Bulqizë, dyshime për përfshirjen e një personi të tretë, gjenden edhe 4 gezhoja

GS 07/11/2026 4 Min. Lesezeit

Hetimet për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës kanë zbardhur detaje të reja, ndërsa krahas bashkëshortes dhe djalit të arrestuar, grupi hetimor dyshon se në krim mund të jetë përfshirë edhe një person i tretë.

Gjatë ditës së premte, teksa në Gjykatën e Dibrës zhvillohej seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sadete dhe Gazmir Fikut, efektivët e policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në zonën ku u gjet i pajetë 61-vjeçari.

Rreth 500 metra larg banesës së familjes Fiku, policia ka gjetur edhe katër gëzhoja të tjera pistolete, të cilat dyshohet se janë shkrepur nga e njëjta armë e sekuestruar më herët në kuadër të hetimeve. Ato janë marrë si prova materiale dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse përputhen me armën e sekuestruar.

Shpërndarja e gëzhojave në distanca të ndryshme ka ngritur dyshime se viktima mund të jetë ndjekur nga autori, i cili ka qëlluar disa herë në drejtim të tij, derisa një plumb e ka kapur pas shpine, duke e rrëzuar në tokë.

Dyshohet se më pas autori e ka goditur Urim Fikun edhe me sëpatë në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kafkë. Për këtë arsye, policia dhe prokuroria i janë drejtuar mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, nëse ajo ka ardhur si pasojë e plagës së armës së zjarrit apo goditjes me sëpatë.

Një tjetër pistë që po hetohet është përfshirja e një personi të tretë, i cili dyshohet se banon në afërsi të vendit të ngjarjes. Identifikimi dhe lokalizimi i tij janë pjesë e veprimeve hetimore.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, ka ndryshuar versionin e saj për ngjarjen. Ajo ka deklaruar se Urim Fiku nuk është vrarë nga ariu, siç ishte pretenduar fillimisht, por se ka kryer vetëvrasje. Ky version nuk është bindës për hetuesit, të cilët e konsiderojnë të papajtueshëm me dinamikën e dyshuar të ngjarjes, pasi viktima rezulton të jetë qëlluar pas shpine.

Edhe djali i viktimës, Gazmir Fiku, i cili akuzohet për përfshirje në vrasje, ka mohuar autorësinë e krimit. Gjatë dëshmisë së tij në polici, ai ka pretenduar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ndodhej në punë, në ambientet e OSHEE-së, ku ushtron detyrën si përgjegjës në zonën e Bulqizës. Madje, ai u ka kërkuar hetuesve të verifikojnë pamjet filmike të një lokali përballë komisariatit dhe të zyrave të OSHEE-së, për të konfirmuar praninë e tij në punë.

Megjithatë, grupi hetimor ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi rrethanat e ngjarjes. Në fokus të hetimeve janë fshirja e pamjeve filmike nga DVR-ja e kamerave të banesës, rrobat e prera me gërshërë dhe të hedhura në tualet, sëpata me njolla gjaku, si dhe pistoleta me një fishek në fole. Krahas tyre, hetuesit po analizojnë edhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje dhe versionet e ndryshme të dhëna për vdekjen e 61-vjeçarit.

Sadete dhe Gazmir Fiku vijojnë të jenë nën akuzë për vrasjen e Urim Fikut, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe për të përcaktuar nëse në krim është përfshirë edhe një person tjetër.

/rtsh.al/

Teilen: