Saturday, 7. November 2026
Sport

“Dështimi më i madh në histori të Man Utd” gjen klub të ri në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll

GS 07/11/2026 3 Min. Lesezeit

Që nga fillimi i këtij shekulli, Manchester United ka bërë disa transferime të diskutueshme, por largimi i Sir Alex Fergusonit nga posti i trajnerit bëri që ky problem të bëhej edhe më i madh.

Përforcimet e bëra nga “Djajtë e Kuq” gjatë kësaj vere nuk janë pritur mirë nga askush brenda klubit.

Michael Carrick dhe lojtarët e tij kanë folur vazhdimisht gjatë verës për nevojën e afrimit të futbollistëve të rinj, ndërsa Lisandro Martinez shprehu hapur pakënaqësinë pas humbjes së klubit ndaj Comos, duke kritikuar mungesën e cilësisë te përforcimet e realizuara.

Megjithatë, njëri prej transferimeve më të dështuara në historinë e klubit ka gjetur skuadër të re, pas disa muajsh si futbollist i lirë. Ai pritet t’i bashkohet një ekipi që garon në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll.

Edhe gjatë periudhës së tij në krye të Manchester Unitedit, Ferguson kishte bërë disa transferime që nuk rezultuan të suksesshme, pavarësisht arritjeve të jashtëzakonshme të klubit nën drejtimin e tij, si në Angli ashtu edhe në Evropë.

Në mesin e transferimeve që nuk përmbushën pritshmëritë ishin Juan Sebastian Veron, Eric Djemba-Djemba, Kleberson dhe David Bellion. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u konsiderua dështimi më i madh që ka veshur fanellën e Unitedit, sipas një sondazhi të realizuar nga ESPN me tifozët e klubit.

Në këtë anketë, Bebe u votua si transferimi më i dështuar në historinë e “Djajve të Kuq”.

Ferguson e kishte transferuar portugezin nga Vitoria de Guimaraes në gusht të vitit 2010, për një shumë që raportohej të ishte afërsisht 9 milionë euro, duke mposhtur konkurrencën e Real Madridit dhe Benficas.

Pas katër vitesh zhgënjyese në ‘Old Trafford’, Bebe u largua drejt Benficas, pasi kishte regjistruar vetëm shtatë paraqitje me fanellën e Manchester Unitedit.

Portugezit iu desh kohë për ta ringritur karrierën, por më pas gjeti formën në La Liga, ku la përshtypje të mira me Rayo Vallecanon dhe Eibarin.

Tani, pas disa muajsh pa klub, pasi ishte larguar nga UD Ibiza në fund të sezonit të kaluar, Bebe ka gjetur një destinacion të ri. Ai do t’i bashkohet CD Teruelit, skuadër që aktualisht renditet në fund të tabelës në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll./Telegrafi/

Teilen: