Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka bërë të ditur se është siguruar financimi i plotë për digjitalizimin e arkivit të RTSH-së, pas negociatave të zhvilluara me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Nismat Qytetare, në kuadër të seancës dëgjimore për “Buxhetin 2027”, Vasili e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për institucionin, duke theksuar rëndësinë e arkivit jo vetëm për RTSH-në, por edhe për memorien kombëtare.
“Një nga gjërat që duam të evidentojmë: RTSH, pas një negociate të gjatë me AADF, arriti të sigurojë në mënyrë të pavarur financimin e plotë të digjitalizimit të arkivit të RTSH-së”, deklaroi Vasili.
Ajo bëri të ditur se i gjithë procesi do të financohet dhe realizohet nga AADF, e cila ka marrë përsipër plotësisht këtë projekt.
“Ky proces do të realizohet nga AADF, si financimi, ashtu edhe realizimi i marrë përsipër tërësisht nga ata. E kemi quajtur moment historik, detyrë që RTSH duhet ta kishte zgjidhur në këto 36 vite. Është pengu 36-vjeçar i RTSH-së ndaj vetes dhe ndaj publikut shqiptar”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme.
Vasili nënvizoi gjithashtu se arkivi i RTSH-së ka një rëndësi që tejkalon përmasat e vetë institucionit, pasi përmban materiale me vlerë për historinë dhe kujtesën kolektive të vendit.
“Arkivi i RTSH-së i kalon përmasat e institucionit. Nuk është i rëndësishëm vetëm për RTSH-në, por për gjithë memorien kombëtare. Vijmë në komision me këtë lajm të mirë që duam ta ndajmë me ju”, përfundoi Vasili.
/rtsh.al/