Monday, 9. November 2026
Sport

“Detyrë shtetërore”/ Ardit Bido kërkon mbështetje për RTSH-në: Sinjal në gjithë territorin dhe prani në diasporë

GS 09/11/2026 4 Min. Lesezeit

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka kërkuar mbështetje nga shteti për dy prioritete që, sipas tij, duhet të jenë pjesë e strategjisë kombëtare të transmetuesit publik: garantimi i sinjalit të RTSH-së në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe zgjerimi i pranisë së tij në diasporë.

Gjatë diskutimit për projektbuxhetin e RTSH-së në Komisionin e Medias, Bido kërkoi që në raportin që do t’i përcillet Komisionit të Financave të përfshihet një fond i posaçëm prej 3 milionë eurosh për mbulimin me sinjal të rreth 2 mijë kilometrave katrorë, ku aktualisht ka problematika me marrjen e transmetimit.

Ai e nisi ndërhyrjen duke kujtuar se Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.749 kilometrash katrorë dhe se është detyrim i institucioneve të garantojnë mbulimin e plotë të territorit, si me sinjalin televiziv të RTSH-së, ashtu edhe me atë të telefonisë celulare.

Sipas deputetit, kjo përgjegjësi i takon buxhetit të shtetit dhe nuk duhet të ngatërrohet me problematikat financiare apo nevojën për reforma brenda RTSH-së. Për të ilustruar situatën, ai solli shembuj nga zonat e Sarandës dhe Himarës, ku kapen televizionet greke për shkak të afërsisë me Korfuzin, ndërsa në fshatra të Çamërisë, Labërisë, Pustecit në Korçë dhe Gollobordës në Dibër mungon sinjali i transmetuesit publik shqiptar.

“Të mos kapë valë në Çamëri RTSH-ja, tregon shumë keq për ne, ndërkohë që kap shumë mirë televizioni grek”, u shpreh Bido.

Ai theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me mbulimin teknik, por edhe me aksesin e barabartë në informacion për banorët e zonave të largëta dhe të pakicave kombëtare. Sipas tij, banorët në Pustec, Finiq, Dropull dhe Gollobordë duhet të kenë mundësi të informohen si për zhvillimet në shtetin shqiptar, ashtu edhe për çështjet që lidhen me komunitetet e tyre, përmes një transmetuesi publik në gjuhën shqipe.

Për këtë arsye, Bido kërkoi që në raportin e Komisionit të Medias të përfshihet një zë i posaçëm prej 3 milionë eurosh për zgjerimin e mbulimit me sinjal në rreth 2 mijë kilometra katrorë. Ai e cilësoi këtë shumë të përballueshme për buxhetin e shtetit, në raport me rëndësinë e garantimit të mbulimit në të gjithë territorin.

Çështja e dytë që ngriti deputeti ishte zgjerimi i pranisë së RTSH-së në diasporë. Duke iu referuar ambicies së drejtoreshës së përgjithshme, Eni Vasili, për hapjen e zyrave të RTSH-së në 10 kryeqytete të botës, Bido tha se kjo nuk duhet parë thjesht si një projekt i institucionit, por si një domosdoshmëri kombëtare që kërkon mbështetjen e shtetit.

Ai argumentoi se identiteti shqiptar në shekullin XXI nuk mund të kufizohet vetëm brenda territoreve ku jetojnë tradicionalisht shqiptarët në Ballkan, pasi një pjesë e madhe e tyre ndodhet në vende të ndryshme të botës. Për këtë arsye, sipas tij, nevojitet një strategji e re kombëtare për ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit shqiptar te brezat e rinj.

“Shqiptaria është miliona kilometra katrorë. Më shumë se gjysma e shqiptarëve etnikë nuk gjenden në Ballkan”, u shpreh Bido, duke nënvizuar se qasja ndaj identitetit shqiptar duhet të përshtatet me realitetin e ri të diasporës.

Në këtë kuadër, ai kërkoi thellimin e bashkëpunimit mes RTSH-së, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe transmetuesve publikë të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Sipas propozimit të tij, programacioni në gjuhën shqipe duhet të shpërndahet në mënyrë të koordinuar në pikat kryesore të vendeve ku jetojnë komunitete të mëdha emigrantësh shqiptarë.

Bido theksoi se RTSH-ja ka një rol të veçantë në këtë proces dhe se, edhe në mungesë të një strategjie të përbashkët ndërinstitucionale, shteti duhet të mbështesë të paktën nismat që mund të realizohen përmes transmetuesit publik.

Ai paralajmëroi se ruajtja e identitetit kombëtar te brezat e rinj kërkon veprim dhe një strategji afatgjatë, duke e cilësuar këtë si përgjegjësi të shtetit në tërësi dhe jo vetëm të RTSH-së.

“Përpara se fëmijët tanë të na shajnë se si ne po trajtojmë Shqipërinë”, tha Bido, duke kërkuar që këto dy prioritete të marrin mbështetjen e nevojshme institucionale.

Teilen: