Tuesday, 10. November 2026
Sport

Modernizohet flota e mbrojtjes nga ajri, tre avionë të rinj kundër zjarreve i shtohen Emergjencave Civile brenda marsit 2027

GS 10/11/2026 2 Min. Lesezeit

Nën drejtimin e kryetarit Bledar Çuçi, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes zhvilloi një seancë dëgjimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, me fokus shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2027. I ftuar në këtë mbledhje ishte Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, i shoqëruar nga stafi mbështetës.

Gjatë fjalës së tij, Çako u ndal te fuqizimi i kapaciteteve operacionale dhe modernizimi i mjeteve për parandalimin dhe përballimin e situatave të krizës.

Ai bëri me dije se “flotës ajrore të Shqipërisë pritet t’i shtohen tre avionë të rinj për përballimin e zjarreve, dy prej të cilëve do të mbërrijnë në dhjetor dhe i treti në mars të vitit 2027”.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se gjatë vitit 2026 Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihmë pranë Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile lidhur me vatrat e zjarrit. Sipas tij, kjo arritje u garantua “falë gatishmërisë së flotës ajrore, me 3 helikopterë Cougar, 2 Black Hawk dhe 2 avionë Air Tractor, të cilët mundësuan menaxhimin e zjarreve në kohë reale”.

Lidhur me aspektin financiar dhe planifikimin buxhetor, relatori i çështjes bëri një përmbledhje të treguesve për vitin 2027. Ai sqaroi se në fazën e dytë të Programit Buxhetor Afatmesëm, kërkesat brenda tavaneve të miratuara për programin “Emergjencat Civile” arrijnë në rreth 5.29 miliardë lekë. Gjithashtu, institucioni ka paraqitur kërkesa shtesë prej 409.9 milionë lekësh, “duke e çuar nevojën totale të financimit në rreth 5.70 miliardë lekë”.

  • /rtsh.al/

     

  • Teilen: