Wednesday, 11. November 2026
Sport

Kundërshti për HEC-in në Gorë, banorët kundër marrjes së ujit, investitori parashikon ndryshime

GS 11/11/2026 2 Min. Lesezeit

Banorët e pesë fshatrave të Gorës në Maliq kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali, duke kundërshtuar marrjen e ujit nga përrenjtë e zonës, të cilët përdoren për bujqësi dhe blegtori.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime edhe për ndikimin e projektit në mjedis, biodiversitet dhe burimet ujore.

Sazan Guri, ambientalist, u shpreh “Ky projekt shkakton shkatërrimin, jo prishjen, por shkatërrimin e ekosistemit, sepse uji i këtyre katër përrenjve, pjesa më e madhe, shkon për ekosistemin. Pjesa tjetër e tij që mbetet shkon për të ushqyer ujërat e puseve.”

Brizida Gjikondi, përfaqësuese e shoqërisë civile, theksoi se,  “Nuk ka vetëm shkelje në lidhje me projektin, që ka shumë të pavërteta, por nuk është bërë asnjë studim as për faunën. Këto janë të gjitha kafshët që janë fotografuar në zonën e Gorës. Edhe për bimësinë nuk është pyetur fare, mirëpo s’po flasim për njerëzit.”

Nga ana tjetër, investitori thotë se ka hequr dorë nga disa variante fillestare dhe se projekti do të vijojë me ndryshime.

Eri Agolli, investitor, tha për RTSH “Janë banorët e Kolanecit dhe të Goçës. Unë e mora parasysh ankesën që bënë Goça dhe Kolaneci dhe hoqa dorë nga një variant. Duke ditur që kanë ankesa, hoqa dorë nga ai variant. I kemi marrë një herë më parë, në vitin 2018. Por ato janë me afat. Tani u ka mbaruar afati dhe po i ripërsërisim përsëri këto procedura, lejen mjedisore dhe të gjitha procedurat që duhen bërë.”

Banorët vijojnë të kundërshtojnë projektin, duke e konsideruar ujin jetik për ekonominë dhe jetesën e tyre.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Teilen: