Autori i golit të parë në fitoren 2-0 ndaj Finlandës flet për momentin e tij më të mirë me Kombëtaren. Sulmuesi kuqezi vlerëson besimin e trajnerit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve pas një rruge me shumë vështirësi e sakrifica.
Ernest Muçi po kalon një nga periudhat më të mira me fanellën kuqezi dhe këtë e konfirmoi edhe në përballjen ndaj Finlandës. Sulmuesi ishte protagonist në suksesin 2-0 të Shqipërisë, duke shënuar golin e parë të ndeshjes dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në një fitore me shumë peshë për objektivin e vendit të parë në grupin C1 të Nations League.
Pas përfundimit të takimit, Muçi foli për paraqitjen e skuadrës dhe ndjesitë personale, duke mos e fshehur kënaqësinë për momentin që po përjeton me Kombëtaren.
“Sot kishim katër mesfushorë në mesfushë. Kemi bërë një nga ndeshjet më të mira”, u shpreh fillimisht sulmuesi, duke vlerësuar edhe mënyrën se si funksionoi skuadra në fushë.
Më pas, Muçi u ndal te periudha që po kalon dhe te rëndësia e besimit që ka fituar në ekipin kombëtar. “Momenti më i mirë në Kombëtare? Po, ky është momenti kur ndiej besimin e shokëve të ekipit, trajnerit dhe tifozëve. Kam kaluar shumë për të arritur këtu”, deklaroi futbollisti.
Një fjali që përmbledh rrugëtimin e Muçit, i cili pas shumë sakrificash duket se po gjen hapësirën dhe vazhdimësinë e dëshiruar në fanellën e Shqipërisë. Goli ndaj Finlandës është një tjetër sinjal pozitiv për sulmuesin, që synon të kthehet në një nga pikat e rëndësishme të repartit ofensiv të kuqezinjve.