Sunday, 15. November 2026
Sport

Kamza drejt përfundimit të sheshit të ri qendror, Balla: Investim në shërbim të qytetarëve

GS 15/11/2026 2 Min. Lesezeit

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli panë nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e sheshit të ri qendror të qytetit, i cili ndodhet në fazën përfundimtare.

Projekti parashikon një hapësirë prej rreth 14 mijë metrash katrorë në shërbim të qytetarëve, ndërsa nëntoka e sheshit është shfrytëzuar për ndërtimin e një parkingu publik me kapacitet prej 140 automjetesh. Balla e cilësoi këtë investim si një tjetër dëshmi të transformimit të Kamzës gjatë viteve të fundit.

“…jemi pothuajse në fazën përfundimtare të këtij investimi. Ka përfunduar të gjitha punimet nëntokësore. Ndodhemi mbi parkingun qendror të qytetit, ku do të ketë vend për 140 automjete, ndërsa i gjithë sheshi, pothuajse 14 mijë metra katrorë, do të jetë në dispozicion të qytetarëve”, u shpreh Balla.

Në të njëjtën zonë po ndërtohet edhe godina e re e Bashkisë Kamëz. Projekti i sheshit ndërthur hapësirat publike me objektet e kultit, ndërsa parashikohet edhe zhvillimi i zonës përmes bashkëpunimit me sipërmarrjen private.

“Kamza meritonte një bashki moderne në shërbim të qytetarëve. Ky është i gjithë sheshi qendror që ndërthuret edhe me besimet fetare, xhaminë e bukur të Kamzës dhe një kishë katolike”, tha më tej.

Balla ka theksuar edhe mbështetjen ndaj familjeve në nevojë për strehim,  ku nënvizoi se javën e ardhshme pritet të shqyrtohet në Kuvend ligji për strehimin social, duke theksuar se një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe banorëve të Paskuqanit, të cilët humbën banesat për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Teilen: