Mbrojtësi Ilir Krasniqi po dëshmohet si njëri prej lojtarëve më të mirë te Kombëtarja e Kosovës në këtë sezon të Ligës së Kombeve.
Krasniqi ka qenë i pazëvendësueshëm në të gjitha pesë ndeshjet e Kosovës në kuadër të Grupit B3 dhe ka pasur paraqitje fantastike në secilën prej tyre.
Në fakt, Krasniqi që bën karrierë në Ukrainë te Polyssia Zhytomyr po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një prej lojtarëve më të dalluar në Ligën e Kombeve sa i përket aspektit defensiv.
Ai renditet prej lojtarëve më të mirë në Ligën e Kombeve, sa i përket ndërhyrjeve dhe topave të rikuperuar në sezonin aktual të kësaj gare.
Krasniqi i ka 19 ndërhyrje dhe është më efikasi me turkun Ismail Yuksek që ka gjithashtu numër të njëjtë ndërhyrjes, ndërsa sa i përket statistikës tjetër, mbrojtësi i Kosovës është i dyti në listë me 43 topa të rikuperuar.
Krasniqi në gjashtë ndeshjet e fundit të Kombëtares së Kosovës, përfshirë edhe miqësoret me Çekinë e Andorrën, ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm te “Dardanët”.