Monday, 16. November 2026
Sport

Kelly i Vëllaznimit shpallet “MVP i Javës”

GS 16/11/2026 1 Min. Lesezeit

Basketbollisti i Vëllaznimit, Amari Kelly e ka fituar epitetin e më të mirit për xhiron e fundit në Superligën e Kosovës.

Kelly është shpallur “MVP i Javës” për xhiron e nëntë, pasi ishte më i merituari për fitoren e Vëllaznimit ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet.

Vëllaznimi triumfoi 66:62 kurse Kelly regjistroi 29 pikë e 17 kërcime, duke pasur indeksin e lojës 38 për t’u përfshirë edhe në ekipin më të mirë  të javës apo “Top-5”.

Krahas Kellyt, në ekipin e javës është edhe Laolu Oke i Borës si dhe amerikanët me pasaporta të Kosovës, Shawn Jones i Trepçës, Divine Myles i Bashkimit dhe Domenic Artis i Pejës.

Oke me 19 pikë e 11 kërcime ishte më i dalluari te Bora që mposhti Golden Eagle Yllin kurse Myles udhëhoqi Bashkimin drejt fitores ndaj Rahovecit 029 duke realizuar 16 pikë, 2 kërcime e 6 asistime.

Në fitoren e ngushtë të Trepçës ne Pejë, Jones me 13 pikë, 11 kërcime e 2 asistime u veçua te mysafirët kurse Artis ishte më efikasi te vendasit me 26 pikë, 8 kërcime e 6 asistime.

 

Teilen: