Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie në renditjen e re të FIFA-s, duke humbur dy pozita pas rezultateve të fundit në ndeshjet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të përditësuara, “Dardanët” tashmë renditen në vendin e 78-të në botë, me gjithsej 1322.10 pikë.
Kjo rënie vjen pas përfundimit të ndeshjeve të fundit të Kosovës në Ligën e Kombeve, ku humbja 3:0 ndaj Republikës së Irlandës në Dublin ndikoi në bilancin e pikëve të përfaqësueses sonë.
Para kësaj disfate, Kosova kishte barazuar 0:0 me Izraelin, ndërsa në dy ndeshjet paraprake kishte regjistruar po ashtu barazime ndaj Austrisë dhe Izraelit.
Përballja me Irlandën mori një rrjedhë të pafavorshme për “Dardanët” në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje me dorë në vijën e portës.
Troy Parrott shënoi nga pika e bardhë, për të realizuar sërish në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Jack Moylan vulosi fitoren 3:0 të irlandezëve.
Kjo rënie në renditjen botërore vjen pas një periudhe progresi për përfaqësuesen e Kosovës. Në tetor të këtij viti, “Dardanët” kishin arritur pozitën e 76-të, që përbënte renditjen më të mirë në historinë e tyre.
Tashmë, përzgjedhësit dhe futbollistët e Kosovës do të synojnë rezultate pozitive në ndeshjet e ardhshme, me qëllim të rikthimit në pozitat më të larta të renditjes së FIFA-s.