Fundori amerikan, Kyan Anderson është rikthyer në basketbollin kosovar, por këtë herë do ta bartë fanellën e skuadrës së Pejës.
KB Peja, tashmë ka prezantuar Andersonin, i cili do të jetë pjesë e ekipit deri në fund të sezonit aktual dhe pritet të debutojë këtë vikend.
Anderson, i gjatë 180 centimetra shihet si përforcim i rëndësishëm te Peja, duke pasur parasysh përvojën e tij të pasur ndërkombëtare por edhe në Kosovë.
Sezonin e shkuar, Anderson ishte pjesë e Bashkimit kurse në vitin 2019 me fanellën e Sigal Prishtinës la fituar titullin, kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Karrierë ka bërë edhe në Belgjikë, Gjermani, Francë, Lituani e Turqi kurse sezonin e kaluar kishte një mesatare prej 15 pikëve, 3 kërcimeve dhe 8 asistimeve për ndeshje.
Peja është në seri negative prej shtatë humbjeve rresht dhe renditet e gjashta në tabelë me 11 pikë, ndërsa të shtunën do të përballet me Vëllaznimin në Gjakovë në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës.