Saturday, 21. November 2026
Sport

Përmbyllet në Kalanë e Gjirokastrës Kampi i Restaurimit, Gonxhja: Rritja me 80% e buxhetit do mbështesë projektet e reja

GS 21/11/2026 2 Min. Lesezeit

Në mjediset e Kalasë së Gjirokastrës është përmbyllur me ekspozitën e projekteve studentore edicioni i Kampit të Restaurimit 2026 – Regional Living Lab, një nismë e realizuar në kuadër të projektit evropian BAUHAUS4EU 2026–2027.

Kjo veprimtari u organizua nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër, në bashkëpunim me Universitetin POLIS dhe me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër, me synim ndërthurjen e ekspertizës profesionale me energjinë e brezit të ri për ruajtjen e monumenteve të rrezikuara.

Gjatë këtij kampi, nën drejtimin e specialistëve të fushës, studentët u angazhuan drejtpërdrejt në dokumentimin dhe studimin e tetë banesave monumente kulture, si dhe të Kishës së Shën Kollit në Saraqinisht e Banesës Zahari Sterio në Derviçan.

Ndërkaq, puna kërkimore dhe projektuese kombinoi teknologjitë bashkëkohore të skanimit 3D me teknikat e mjeshtërisë tradicionale të ndërtimit, duke hedhur bazat për ndërhyrje konkrete restauruese në terren.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministri Blendi Gonxhja bëri me dije se kjo iniciativë është e lidhur ngushtë me programin kombëtar të parashikuar për vitin 2027, i cili synon shpëtimin, restaurimin dhe rijetëzimin e banesave dhe objekteve monumente kulture.

Sipas tij, këto ndërhyrje do të mbështeten financiarisht nga rritja me 80% e buxhetit të dedikuar për trashëgiminë kulturore, duke garantuar më shumë investime për mbrojtjen e vlerave historike dhe përcjelljen e tyre te brezat e ardhshëm.

/rtsh.al/

Teilen: