Sunday, 22. November 2026
Sport

Libohovë/ Kanosi bashkëshorten me kallashnikov dhe qëlloi në ajër, arrestohet pas mbi dy orë negociatash  

GS 22/11/2026 2 Min. Lesezeit

Një ngjarje e rëndë kriminale në familje është parandaluar nga Policia në Libohovë, ku një 40-vjeçar dyshohet se ka kanosur bashkëshorten me armë zjarri automatike dhe më pas ka qëlluar në ajër pas një konflikti për motive të dobëta.

Sipas Policisë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij, duke përdorur armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë ndërhyrjen për neutralizimin e situatës dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u finalizua operacioni policor i koduar “Reagimi”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit T.B., 40 vjeç, banues në Libohovë, person me precedentë të mëparshëm penalë.

Nga hetimet paraprake rezulton se pas një konflikti me bashkëshorten, 40-vjeçari e ka kanosur atë me armë zjarri automatike, duke i thënë se do ta vriste. Më pas ai është larguar me automjet dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Policia bëri të ditur se për neutralizimin e tij u deshën rreth 2 orë e 30 minuta negociata, deri në dorëzimin dhe arrestimin e tij pa pasoja për persona të tjerë.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan se arma automatike ishte e gatshme për qitje, me fishek në folenë e fishekut dhe me krehër të mbushur me municion. Arma e zjarrit dhe municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/rtsh.al/

Teilen: