Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut Shkodër, duke sjellë dëmtime në banesa, objekte arsimore dhe rrugë rurale, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas informacionit të përditësuar nga Prefektura e Qarkut Shkodër, problematikat më të theksuara janë evidentuar në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku erërat e forta kanë shkaktuar dëmtime në çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe në disa banesa.
Po ashtu, disa rrugë rurale janë dëmtuar nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.
Gjatë natës, aksi Fushë-Arrëz–Bardhet u bllokua përkohësisht për shkak të rrëzimit të një peme, por pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake, qarkullimi është rikthyer.
Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve, të cilat janë larguar nga shërbimet përkatëse të bashkisë.
Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike. Edhe në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji.
Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku janë konstatuar rënie gurësh dhe prurje inertesh.
Aktualisht po vijojnë punimet për pastrimin e këtyre akseve. Ndërkohë, në zonën e Qafë Thorës janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit në territorin e qarkut vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut. Deri në momentin e raportimit nuk janë evidentuar problematika në veprat ujore.
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër bën me dije se po vijon monitorimin e situatës dhe bashkërendimin me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat ku paraqiten problematika.
/rtsh.al/