Tuesday, 24. November 2026
Sport

Dosja “Jan Prenga”/ Gjykata e Lartë ndryshon vendimin e GJKKO-së, ul dënimin për Festim Bexhdilin nga burgim i përjetshëm në 25 vite heqje lirie

GS 24/11/2026 3 Min. Lesezeit

Gjykata e Lartë ka vendosur sot, më 24 nëntor 2026, të ndryshojë masën e dënimit për Festim Bexhdilin, ish-kopshtarin e kompleksit “Golden” në Shijak, duke i ulur dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burgim për përfshirjen e tij në rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës.

Vendimi, i shpallur nga gjyqtari Genti Shala, ndryshon vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (datë 25.07.2025), e cila kishte lënë në fuqi dënimin kapital të dhënë nga Shkalla e Parë e GJKKO-së në shtator të vitit 2022. Në dispozitivin e ri, Gjykata e Lartë vendosi “ndryshimin e masës së dënimit për të pandehurin Festim Bexhdili, dhe në bazë të nenit 109/3-28/4 dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 vjet burg”, duke caktuar në bashkim të dënimeve (neni 55 i Kodit Penal) një dënim përfundimtar prej 25 vitesh heqje lirie.

Çështja ndaj Bexhdilit kishte kaluar një kalvar të gjatë gjyqësor, pasi Gjykata e Lartë e kishte rikthyer edhe më herët dosjen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm, i cili në korrik të vitit të kaluar rikonfirmoi burgimin e përjetshëm për të pandehurin.

Kronologjia dhe motivi i pengmarrjes

Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 janar 2020 në Kamëz, ku 49-vjeçari Jan Prenga, baba i pesë fëmijëve dhe i vetmi nga vëllezërit që jetonte në Shqipëri, u rrëmbye me një automjet të vjedhur. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), urdhri për rrëmbimin u dha si formë presioni dhe hakmarrjeje, pasi njëri nga vëllezërit e viktimës, Astrit Prenga, dyshohet se kishte mbajtur peng apo kishte vjedhur një ngarkesë prej rreth 283–300 kilogramësh kokainë në portin e Portsmouth-it në Angli.

Përgjimet telefonike të siguruara nga hetuesit zbuluan se urdhëruesit e dyshuar të pengmarrjes ishin Dritan Rexhepi – i cili në atë kohë vuante dënimin në një burg në Ekuador – dhe Gentian Doçi (Funiqi), të cilët synonin të detyronin Astrit Prengën të kthente sasinë e drogës.

Pas pengmarrjes në Kamëz, Jan Prenga u dërgua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Kamerat e sigurisë së resortit fiksuan lëvizjet e pengmarrësve si dhe momentin kur trupi i pajetë i 49-vjeçarit u nxor nga ambientet e kompleksit me një furgon të bardhë. Pavarësisht hetimeve dhe proceseve gjyqësore, vendndodhja e trupit të Jan Prengës mbetet ende e pazbuluar.

/rtsh.al/

Teilen: