Tuesday, 24. November 2026
Sport

Vendim historik | CAS ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Afrikës

GS 24/11/2026 2 Min. Lesezeit

Senegali është rikthyer zyrtarisht në majën e futbollit afrikan, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka anuluar vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), duke konfirmuar triumfin e tij në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON).

Përfaqësuesja senegaleze kishte fituar finalen ndaj Marokut me rezultatin 1-0, në një ndeshje të zhvilluar në Rabat, por vendimi i mëvonshëm i Komisionit të Apelit të CAF-it kishte ndryshuar gjithçka. Ky institucion ia kishte dhënë fitoren Marokut në tavolinë, me rezultat 3-0, transmeton lajmi.net.

Federata e Futbollit e Senegalit nuk ishte pajtuar me këtë vendim dhe e kishte dërguar çështjen në CAS. Pas shqyrtimit të rastit, paneli i përbërë nga tre gjyqtarë ka vendosur në favor të Senegalit, duke e anuluar vendimin e CAF-it dhe duke ia rikthyer titullin kampion.

Finalja mes dy kombëtareve ishte shoqëruar me momente të tensionuara. Futbollistët e Senegalit kishin braktisur përkohësisht fushën për rreth 15 minuta, në shenjë pakënaqësie pas akordimit të një penalltie për Marokun në fund të kohës së rregullt.

Në ato momente, ishte Sadio Mane ai që luajti një rol të rëndësishëm në bindjen e bashkëlojtarëve për t’u rikthyer në fushë dhe për ta vazhduar takimin.

Pas rifillimit, Brahim Diaz pati mundësinë për ta kaluar Marokun në epërsi nga pika e bardhë, por goditja e tij u prit nga portieri senegalez. Ndërsa në vazhdime, Pape Gueye realizoi golin vendimtar për fitoren 1-0 të Senegalit.

CAF e kishte arsyetuar vendimin e saj me rregulloren e garës, sipas së cilës një ekip që refuzon vazhdimin e lojës ose largohet nga fusha pa autorizimin e gjyqtarit, mund të shpallet humbës i ndeshjes.

Megjithatë, CAS, pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të palëve gjatë një seance njëditore, ka vendosur që vendimi i organit afrikan të futbollit të mos qëndrojë.

Kështu, Senegali e ruan fitoren e arritur në fushën e lojës dhe konfirmohet sërish si kampion i Afrikës.

Vendimi i CAS-it mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Zvicrës, por mundësitë për kundërshtim janë të kufizuara dhe lidhen kryesisht me çështje procedurale./lajmi.net/

Teilen: