Tuesday, 24. November 2026
Sport

Nga hotelet dhe klubet e natës te minierat e kromit, më 26 nëntor vendoset fati i aseteve prej miliona eurosh të Orges Jahelezit

GS 24/11/2026 4 Min. Lesezeit

Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë për në datën 26 nëntor 2026 shqyrtimin në Dhomë Këshillimi të çështjes pasurore ndaj shtetasit Orges Jahelezi (i njohur edhe si Dritan Jahelezi, Artan Elezi apo me pseudonimin “Nita”), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Objekti i këtij procesi gjyqësor është “konfiskimi i pasurive në pronësi ose posedim të tërthortë të subjektit të aktit normativ, shtetasit Orges Jahelezi, dhe kalimi i tyre në favor të shtetit shqiptar”. Çështja po shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Genti Shala (relator), E. Dhimitri dhe M. Buhali.

Përveç subjektit kryesor nën hetim, në këtë proces figuron si palë e tretë një rreth i gjerë personash fizikë – kryesisht familjarë dhe të afërm të tij – si dhe një sërë subjektesh tregtare me aktivitet në fushën e hotelerisë, klubeve të natës, tregtisë, turizmit dhe kromit. Konkretisht, në listën e palëve të treta përfshihen:

  • Personat fizikë: Brunilda Tafa, Enio Jahelezi (alias Lulëzim Jahelezi), Albi Jahelezi, Xhevdet Jahelezi, Feriz Jahelezi, Nurie Jahelezi, Gramoz Jahelezi, Franc Jahelezi (alias Elvis/Elvir Jahelezi), Luan Jahelezi dhe Marsela Jahelezi.
  • Subjektet tregtare: Shoqëritë “Go Travel” sh.p.k, “Cavalli Club” sh.p.k, “Tido Al” sh.p.k, “Albanian Trade” sh.p.k, “Vox Club” sh.p.k, “Hotel Deluxe” sh.p.k, “Cinco Cavalli” sh.p.k, “Amsterdam” sh.p.k, “Albanopolis Hotel” sh.p.k, “Antigone Rental” sh.p.k dhe “Ital Krom 2000” sh.p.k.Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë mbi fatin e këtyre aseteve dhe shoqërive tregtare pritet të merret në seancën e radhës në Dhomë Këshillimi të enjten e kësaj jave.

    Kush është Orges Jahelezi dhe kronologjia e dosjes “339”

    Orges Jahelezi, me origjinë nga Tirana, është i dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim nga Gjykata e Posaçme për vepra penale që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai njihet si pjesëtar i grupit kriminal të Shijakut (i drejtuar nga Astrit Avdyli), i hetuar në kuadër të dosjes së njohur si “339” dhe operacionit “VOLVO 4”, pas zbulimit të laboratorit të përpunimit të drogës në Brenogë të Hasit.

    Hetimet dhe proceset gjyqësore ndaj tij kanë zgjatur gati një dekadë, duke kaluar nëpër disa etapa kyçe.

    Dhjetor 2016, nisja e hetimeve

    Çështja nisi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas arrestimit të disa shpërndarësve të heroinës në Kavajë. Përgjimet zbuluan një rrjet të gjerë kriminal që trafikonte drogë nga Turqia dhe Amerika Latine drejt Europës.

    Tetor 2018, operacioni “VOLVO 4”

    Gjatë këtij operacioni u zbulua laboratori i përpunimit të heroinës në Brenogë të Hasit dhe u godit grupi i Avdylajve në Shijak, ku u arrestua edhe Orges Jahelezi.

    Shkurt 2020, verifikimi nga OFL

    Operacioni Forca e Ligjit (OFL) i dërgoi formularin e vetëdeklarimit Jahelezit për të justifikuar burimin e pasurive të tij, si subjekt i akuzuar për krim të organizuar.

    1 Shkurt 2021, dënimi i parë

    Pas ndarjes së dosjes “339” në fraksione, Gjykata e Posaçme (GJKKO) e shpalli fajtor Jahelezin së bashku me 16 të pandehur të tjerë, duke e dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim (me gjykim të shkurtuar).

    2022–2024, arratia dhe rekursi

    Pasi Apeli la në fuqi dënimin, Jahelezi u shpall në kërkim. Ndërkohë, pas rekursit të mbrojtjes, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit dhe e riktheu çështjen për rigjykim.

    22 Shkurt 2025, arrestimi në Tiranë

    Pas periudhës në arrati, Policia e Tiranës e lokalizoi dhe e vuri në pranga gjatë operacionit të koduar “Tempus”.

    23 Korrik 2026, konfirmimi në Apel

    Pas rigjykimit të urdhëruar nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi sërish vendimin e mëparshëm, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me 6 vite e 8 muaj burgim.

    /rtsh.al/

Teilen: