Policia e Fierit ka identifikuar dhe kapur autorin e dyshuar të plagosjes me mjet prerës të ndodhur pasditen e sotme në lagjen “Konferenca e Pezës”, ku mbeti i dëmtuar një 29-vjeçar.
Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore dhe kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe shoqërimin e shtetasit të mitur me iniciale G. A., 17 vjeç, i cili ishte larguar menjëherë pas ngjarjes.
Sipas informacionit zyrtar, konflikti mes 17-vjeçarit dhe shtetasit B. M., 29 vjeç, është regjistruar rreth orës 17:20 në lagjen “Konferenca e Pezës”. Gjatë përplasjes fizike, i mituri dyshohet se e ka goditur me thikë 29-vjeçarin dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
I plagosuri u transportua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas bluzave të bardha, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet procedurale për dokumentimin e plotë ligjor dhe zbardhjen e motiveve të këtij konflikti.
/rtsh.al/