Ekipi i Besiktasit ka përjetuar momente frike gjatë udhëtimit drejt Gjeorgjisë, pasi aeroplani që transportonte futbollistët dhe delegacionin e klubit turk është goditur nga rrufeja në mes të fluturimit.
Sipas raportimit të mediumit italian “Calciomercato”, kushtet e vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu, breshër dhe turbulenca të forta, e shndërruan udhëtimin në një përvojë dramatike për anëtarët e delegacionit. Disa prej tyre e përshkruan atë si fluturimin më të keq të jetës së tyre.
Aeroplani ishte nisur drejt Batumit të Gjeorgjisë, ku Besiktashi, nën drejtimin e trajnerit Vincenzo Italiano, pritet të luajë ndaj Hapoel Beer Shevas në Ligën e Evropës.
Megjithatë, për shkak të motit të keq, piloti nuk arriti të realizonte afrimin e sigurt drejt destinacionit dhe u detyrua të ndryshonte kursin.
Aeroplani u devijua drejt Turqisë dhe u ul pa probleme të tjera në aeroportin Rize-Artvin. Aty lojtarët dhe delegacioni u pritën edhe nga një grup tifozësh të klubit.
Sipas raportimit, zyrtarët e Besiktasit kanë rrëfyer për TRT Sport momentet e frikshme të udhëtimit, ndërsa pas uljes futbollistët dukeshin të qetë.
Pavarësisht incidentit, udhëtimi përfundoi pa pasoja për futbollistët dhe stafin e klubit turk.