Thursday, 26. November 2026
Sport

SPAK dërgon për gjykim 10 persona për pastrim parash nga trafiku i drogës në Itali, sekuestruan 680 mijë euro në Muriqan

GS 26/11/2026 5 Min. Lesezeit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim 10 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i lëndëve narkotike në Itali. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë DDA të Barit në Itali, me mbështetjen e Eurojust. Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 243/1 të vitit 2026, SPAK ka depozituar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e 10 të pandehurve: Igli Kamberi, Ergys Kastrati alias Bishja, Nevila Kamberi, Idajete Kurti, Bardhok Gjergji, Lefter Nelaj, Edi Brahaj, Dituri Buzi, Saimir Pirra dhe Sokol Fusha.

Ata akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimi i përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë ka dokumentuar aktivitetin e shtetasve shqiptarë dhe italianë, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, vrasje me dashje dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale. Një nga aspektet kryesore të hetimit ka qenë skema e transferimit të parave të përfituara nga shitja e drogës në Italinë e Jugut dhe zona të tjera të vendit drejt Shqipërisë, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme.

Një prej episodeve më të rëndësishme të dokumentuara nga hetimi ka ndodhur më 14 nëntor 2024, në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit në Shkodër. Gjatë një kontrolli të koordinuar me hetimin e përbashkët, autoritetet sekuestruan 680.595 euro, të cilat ishin fshehur në një vend të përshtatur posaçërisht në automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targë AB216RE. Në timon ndodhej Lefter Nelaj. Sipas hetimeve, paratë transportoheshin në mënyrë të organizuar nga pjesëtarët e grupit, kryesisht nëpërmjet shoferëve të transportit ndërkombëtar ose korrierëve. Për të shmangur kontrollet e autoriteteve dhe gjurmimin e tyre, shumat fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, përfshirë veshje të përdorura.

Transportuesit, sipas SPAK, shpërbleheshin me një përqindje të shumës që merrnin përsipër të dërgonin. Nga hetimet janë identifikuar edhe rolet që secili prej të pandehurve dyshohet se kishte në funksionimin e grupit. Sipas SPAK, Ergys Kastrati alias Bishja dyshohet se ishte furnizuesi dhe ndërlidhësi mes anëtarëve të grupit, si dhe personi që jepte porositë për marrjen e parave në Itali.

Igli Kamberi, nga ana tjetër, dyshohet se menaxhonte aktivitetin e trafikimit në Itali dhe vendoste për destinacionin e përfitimeve financiare. Edi Brahaj akuzohet se koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke u dhënë udhëzime për itinerarin, fotografimin, paketimin dhe fshehjen e parave.

Bardhok Gjergji dyshohet se përcillte porositë për marrjen e shumave monetare, duke shërbyer si një prej hallkave të mekanizmit të transferimit. Ndërsa Lefter Nelaj dyshohet se kryente transportimin fizik të parave, duke ndjekur udhëzimet e personave që koordinonin aktivitetin. Sipas hetimeve, ai dërgonte edhe fotografi të shumave të marra, si dhe informacione mbi procesin e grumbullimit dhe transferimit të tyre.  Në këtë skemë, SPAK i atribuon një rol edhe Nevila Kamberit, bashkëshortes së Igli Kamberit. Ajo dyshohet se administronte atë që hetuesit e përshkruajnë si “arka” e grupit, duke vendosur për shumat, transportuesit dhe destinacionin e parave në Shqipëri.

E pandehura Dituri Buzi dyshohet se bashkëpunonte me të bijën, Nevila Kamberi, dhe Saimir Pirrën për transferimin e parave nga Italia drejt Shqipërisë. Sipas SPAK, ajo ishte në dijeni të origjinës kriminale të shumave dhe ishte bërë pjesë aktive e mekanizmit të ruajtjes dhe transferimit të tyre. Saimir Pirra akuzohet se ka transportuar fizikisht shuma monetare në dy episode të dokumentuara, në koordinim me pjesëtarët e tjerë të grupit në Itali dhe Shqipëri. Sokol Fusha dyshohet se ishte pjesë e zinxhirit të transportimit të parave, duke dërguar shuma të fshehura në vende të ndryshme nga Italia në Shqipëri. Ndërsa Idajete Kurti, e cila kishte lidhje familjare me Igli Kamberin, dyshohet se shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave në banesën e tij, me qëllim shmangien e sekuestrimit të tyre. SPAK bën me dije se hetimet vijojnë në Shqipëri dhe Itali për identifikimin e plotë të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e grupit kriminal.

Të 10 personat e dërguar për gjykim do të përballen me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa çështja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme për shqyrtim.

/rtsh.al/

⚽
UEFA Nations LeagueRezultati i fundit · Ndeshja e radhës · Tabela
Duke ngarkuar rezultatet…
Teilen: