Friday, 27. November 2026
Sport

Operacioni “Siguria” në Fier dhe Lushnjë, sekuestrohen 4 armë zjarri dhe 2 maska silikoni, në pranga 4 persona

GS 27/11/2026 4 Min. Lesezeit

Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas finalizimit të tri fazave të operacionit policor të koduar “Siguria” në Fier dhe Lushnjë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në Fier, në pranga ka rënë një 42-vjeçar me inicialet S. M., i cili qarkullonte me lëndë narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit, policia i gjeti edhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për të kryer veprimtari kriminale.

Në fazën e dytë të operacionit, po në Fier, u arrestuan dy persona, babë e bir, të identifikuar me inicialet Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.

Ndërsa në Lushnjë, në kuadër të fazës së tretë, u arrestua shtetasi M. B. dhe u shpall në kërkim 32-vjeçari L. B., babë e bir, banues në Lushnjë.

Pas një hetimi disa javor, policia ushtroi kontroll në banesën e tyre, ku gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri kallashnikov dhe një armë gjahu, si dhe municion luftarak.

Sipas policisë, paraprakisht dyshohet se armët e sekuestruara në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Të gjitha armët e zjarrit të sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin e përfshirjes së tyre në ngjarje kriminale.

Njoftimi i plotë: 

Kontrolle intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike. Finalizohen në Fier dhe Lushnjë 3 faza të operacionit policor të koduar “Siguria”.

Sekuestrohen 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 maska silikoni. Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër. Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Siguria”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë finalizuan tri faza të këtij operacioni, konkretisht:

1.Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 42 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas qarkullonte me lëndë narkotike kokainë, drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe, gjatë kontrollit, iu gjetën dy maska silikoni, që dyshohet se do t’i përdorte për të kryer veprimtari kriminale.

2.Po në Fier, gjatë fazës së dytë të operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga dy shtetasit Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç (babë e bir), të dy banues në Fier.

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (një kallashnikov dhe një pistoletë), një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).

3.Ndërsa në Lushnjë, gjatë fazës së tretë të operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin M. B. dhe shpallën në kërkim shtetasin L. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë (babë e bir).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një hetimi disa javor, ushtruan kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Paraprakisht, dyshohet se këto armë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dhe Fier do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit L. B., të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Teilen: