Era e fortë që ka përfshirë rajonin e Lezhës gjatë ditës së sotme ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në rrjetin e shpërndarjes, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona urbane dhe rurale.
Si pasojë e këtyre defekteve, disa fshatra në njësitë administrative Kolsh dhe Zejmen, si dhe në zonën e Zadrimës, sipas gazetarit të RTSH-së në Lezhë, “kanë mbetur pa energji elektrike prej disa orësh”. Përveç zonave rurale, vështirësi me furnizimin raportohen edhe brenda qytetit të Lezhës, konkretisht në lagjen Gurra.
Angazhimi i grupeve të punës dhe shkaku i problematikës
Për të normalizuar situatën, Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka angazhuar strukturat e tij teknike. Grupet e punës ndodhen aktualisht në terren “për identifikimin e defekteve dhe riparimin e tyre, me qëllim rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në zonat e prekura”.
Ndërprerjet e energjisë në fshatrat dhe periferinë e Lezhës mbeten një fenomen i përsëritur sa herë që rajoni përballet me reshje apo mot të paqëndrueshëm. Kjo problematikë e vazhdueshme lidhet drejtpërdrejt me “amortizimin e rrjetit elektrik, i cili vijon të krijojë vështirësi në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm për banorët”.
/rtsh.al/