Futbollisti Xherdan Shaqiri është shumë i vlerësuar nga trajneri i ri i skuadrës amerikane, Chicago Fire, Frank Klopas.
Trajneri i ri pret shumë nga ylli i Kosovës njëherësh reprezentues i Zvicrës.
Shaqiri u shpall lojtar i ndeshjes në fitoren e fundit (1:0) të Chicagos në përballje me St. Louis Cityt.
“Shaqiri është lojtar i veçantë. Unë e shoh si të tillë dhe gjithmonë do ta them këtë për shkak se kam besim të madh tek ai.
Në ndeshjen e fundit Shaqiri pati paraqitje fantastike.
Pres se do ta ketë ndikimin e madh në secilën përballje tjetër të këtij edicioni.
Ai do të na ndihmojë shumë dhe do të përmirësohet edhe më shumë nga ndeshja në ndeshje”, ka thënë Klopas.
Shaqiri ka asistuar në golin e fitores së skuadrës së tij.
“Ai po mundohet gradualisht të gjejë ritmin dhe kjo nuk është aspak e lehtë.
Por, të gjithë mund ta shohin që me lojën që po e bën po tregohet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin tonë.
Madje, me kalimin e ndeshjeve ai do të bëhet i pandalshëm dhe do të jetë lojtari kyç i ekipit tonë”, ka thënë trajneri i ri.
Sipas trajnerit të ri, Shaqiri ka cilësi të veçanta. “Me formën e mirë fizike do të jetë në gjendje edhe t’i përfundojë ndeshjet, sepse Shaqiri e ka këtë cilësi të veçantë. Po punon shumë dhe unë jam shumë i kënaqur me të.
Po e shoh duke u forcuar çdo ditë e më shumë dhe nga ndeshja në ndeshje”, tha Klopas.