Taulant Stërmasi është zgjedhur president i Federatës Shqiptare të Atletikës pak çaste më parë.
Pas dënimit me pezullim prej 5 vitesh të ish-presidentit Gjergj Ruli dhe me 4 vite të sekretarit të përgjithshëm Nikolin Dionisi nga Njësia e Intergritetit të Atletikës, Federata Shqiptare e atletikës zhvilloi Asamblenë e Jashtëzakonshme zgjedhore.
Katër kandidatë ishin për postin e presidentit të FSHA-së, me Taluant Stërmasi, Artan Shyti, Ferdinand Canaj dhe Mirton Lika, ku ky i fundit është dorëhequr nga gara.
Kjo garë për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës u bë për një mandat në vazhdim të atij aktualit të ish-presidentit Gjergj Ruli, deri më 27 gusht të vitit 2024, për të zgjidhur ngërçin e krijuar me aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat kishin mbetur pezull për shkak të hetimit ndaj ish-drejtuesve të FSHA-së. Më pas do të zhvillohet asambleja zgjedhore për një mandat 4-vjeçar.
Në raundin e parë të votimit nga 17 anëtarë të mandatuar prej klubeve, Stërmasi mori 8 vota, Canaj 6 dhe Shyti 3, duke berë që të votimi të shkonte në balotazh, ndërsa në garë mbetën vetëm Stërmasi dhe Canaj.
Më pas në votimin e dytë, Taulant Stërmasi mori 10 vota, kundrejt 7 votave të Canajt, duke u zgjedhur kështu president i Federatës Shqiptare të Atletikës.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve merr më tepër vlerë edhe për shkak të lojrave olimpike që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Paris 2024, ku do të tentohet që vendi ynë të marrë pjesë me të paktën dy atlet. Mes tyre Luiza Gega e cila do të marrë pjesë me kualifikim dhe një ftesë ashtu si në Olimpiadën e shkuar./ h.ll/abcnews.al