Çavi Hernandez dhe Barcelona duket se nuk po kalojnë një moment aq të bukur sa mendohej. Edhe pse ish-mesfushori udhëhoqi ekipin drejt titullit kampion në Spanjë, situata mes tij dhe drejtuesve të klubit duket se nuk është më e mira.
Mediat spanjolle kanë zbuluar se mes palëve ka krisje pasi tekniku nuk pranon për momentin rinvimin që i kanë vënë përpara në tavolinë. Dëshira e të dy palëve është që të vazhdojë bashkëpunimi dhe ish-mesfushori të mbetet në drejtimin e ekipit, por ai ka mbetur i pakënaqur me kushtet financiare.
Çavi ka kontratë edhe për një tjetër edicion te Barcelona dhe vetë presidenti Joan Laporta deklaroi para mediave se gjëja e parë që do ë bënte sapo të sigurohej titulli ishte që të ulej në tavolinë për të diskutuar rinovimin dhe siguruar firmën e tij deri në vitin 2026, kur i mbaron mandati si president.
Por në takimin që është zhvilluar pak ditë më parë, palët kanë kuptuar se mes ofertës së Barçës dhe kërkesave të Çavit ka një hendek të madh. Çavi ka kërkuar një rritje të ndjeshme të pagës së tij, teksa burime të “Marca” bëjnë të qartë se ai ka kërkuar edhe më shumë se sa dyfishi i rrogës aktuale. Klubi për momentin ka hezituar, por palët do të ritakohen përsëri për të diskutuar, pasi katalanasit duan të mësojnë se sa janë në gjendje të paguajnë teknikun në momentin e firmës.
Çavi në fakt nuk kërkon shifra të çmendura, por të vlerësohet në nivelet e trajnerit të Barcelonës. Ai kishte bërë një sforco të madhe duke u larguar nga Al Sad në Katar, pasi jo vetëm hiqi dorë nga një rrogë marramendëse atje, por pagoi nga xhepi 2,5 milionë euro që të prishte kontratën me klubin e sheikëve. Ndërkohë, rroga e tij aktuale është modeste në krahasim me emrat e tjerë të mëdhenj të futbollit botëror, pasi ai pranoi shifra të tilla duke parë situatën ekonomike në klub.
Por nëse ai do të rinovojë, ka bërë të qartë se siç është bërë sforco për lojtarë, klubi të bëjë të njëjtën gjë edhe për trajnerin i cili raportohet se ka komunikuar që dëshiron që të paktën të përfitojë një shifër më të lartë se emra si Kesi apo Kristensen, që u afruan në merkato edhe falë sakrificave të tij ekonomike të mëparshme.
PANORAMASPORT.AL