Sot luhen pesë ndeshjet e xhiros së parafundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Gara për titull mbetet ende e hapur në mes Ballkanit e Dritës, ku diferenca është vetëm dy pikë, ndërsa edhe situata në fund të tabelës është interesante.
Përveç Drenicës, ende askush nuk e ka siguruar matematikisht rënien nga liga apo barazhin, pasi diferenca në mes vendit të nëntë të cilin e mban Trepça ’89 dhe vendit të gjashtë që e mban Llapi është vetëm pesë pikë.
E pikërisht, Trepça ’89 do të ndeshet me Dukagjinin si mysafire, ndërsa Llapi do ta pres Gjilanin në “Zahir Pajaziti”.
Ndeshje interesante do të jetë edhe ajo mes liderit të tabelës, Ballkanit e Ferizajt, që është në pozitën e tetë, e cila aktualisht çon në barazh.
Kurse, rivali kryesor i Ballkanit, Drita, do ta pres Malishevën e cila është në vendin e 7-të me 40 pikë.
Ndërsa, ndeshjen më të lehtë sot pritet ta ketë Prishtina, e cila në “Fadil Vokrri” e pret Drenicën e cila e ka siguruar rënien nga liga.
Kujtojmë se të gjitha ndeshjet sot nisin nga ora 15:00.