Për herë të parë në historinë e kompeticionit më të vjetër futbollistik në botë, finalja e Kupës FA do të luhet mes dy klubeve të Mançesterit, Junajtidit dhe Sitit.
“Qytetarët” vijnë si favoritë për të triumfuar nesër në “Wembley”, ndërsa do të kërkojnë trofeun e tyre të dytë sezonal pas Premier Ligës. Më 10 qershor do të luajnë edhe finalen e Champions-it kundër Interit dhe mund të përsërisin tripletën historike të rivalëve të Junajtidit në vitin 1999.
– Mançester Siti e ka prerë biletën në finalen e Kupës FA të këtij sezoni duke shënuar 17 gola dhe mos pësuar asnjë në 5 ndeshjet deri në “Wembley”.
– “Qytetarët” kanë një rekord 100% fitoresh në finalet që kanë luajtur në kompeticionet vendëse nën drejtimin e Pep Guardiolës.
– Vetëm Arsenali (14 herë) e ka fituar Kupën FA më shpesh sesa Mançester Junajtidi (12), por vetëm një nga këto suksese ka ardhur në 19 vitet e fundit. Erik ten Hag do të kërkojë sot të rikthejë lavdinë e klubit në Kupa, ndërsa Junajtidi do t’i fitonte të dy trofetë sezonalë për herë të parë në histori.
– Vetëm 1 nga 15 përballjet e fundit mes Mançester Sitit dhe Mançester Junajtidit ka përfunduar në barazim gjatë 90 minutave: Siti ka regjistruar 8 fitore, ndërsa Junajtidi 6.
– Mançester Siti ka shënuar 3.4 gola mesatarisht për ndeshje këtë sezon në Kupën FA dhe e ka shënuar gjithnjë golin e parë në këto 5 ndeshje deri në finale.
– Siti nuk ka pësuar asnjë gol këtë sezon në këtë kompeticion, por edhe skuadra e Junajtidit ka treguar një paraqitje solide në mbrojtje: “djajtë” kanë pësuar mesatarisht 0.8 gola për ndeshje.
– Mançester Siti do të kërkojë të fitojë trofeun e shtatë të Kupës FA në histori. Kupa FA është kompeticioni i parë që “qytetarët” kanë fituar në historinë e tyre, në vitin 1904.
– Shënuesi më i mirë i Mançester Sitit në historinë e Kupës FA është Serxho Aguero (20 gola).
PANORAMASPORT.AL