Dushan Vlahoviç mund të ketë luajtur ndeshjen e fundit për Juventusin kundër Empolit.
Pas mungesës me Milanin, por edhe faktit se edhe për sfidën e fundit të kampionatit ndaj Udinezes është në dyshim të fortë, sulmuesi serb është në mes të një vorbulle dyshimesh për të ardhmen e tij. Jo vetëm vetë Dushan, por edhe presidenca bardhezi tashmë është e dyzuar për të vazhduar aventurën në Torino dhe në rast se vjen oferta e duhur, lojtari i shpresave të mëdha mund të thotë lamtumirë pas vetëm një sezoni e gjysmë dhe pasi u pagua 70 milionë, plus 10 milionë euro bonuse nga Fiorentina.
Gjithsesi, të paktën deri në ditën e djeshme tifozët e Juventusit mund të qëndrojnë të qetë, pasi drejtuesit kanë refuzuar ofertën e parë zyrtare, e cila i përkiste gjermanëve të Bajernit të Mynihut. Kampionët e Bundesligës janë në kërkim të një numri 9 pas largimit të Robert Levandovskit dhe mbi të gjitha pas faktit se blerja e madhe e fillimsezonit, Sadio Mane nga Liverpuli, rezultoi një dështim i madh, edhe pse dëmtimet nuk i lejuan që ai të kishte vazhdimësi.
Por Bajerni është një klub që nuk ka frikë dhe nuk dorëzohet kurrë, pasi e ka gjithmonë një zgjidhje për të dalë nga situata dhe ajo në pritje të sezonit të ardhshëm mban emrin e Vlahoviçit. Selia nga Mynihu i ka dërguar Juventusit një ofertë të parë zyrtare, 50 milionë euro neto, plus 5 milionë euro bonuse. Përgjigja e Juventusit mbi këto numra ishte më se e pritshme, “Faleminderit, por nuk bëhet”. Ideja e “Zonjës së Vjetër”, në rast shitjeje të Dushan Vlahoviçit, është që të arkëtojë minimalisht shifrën e shpenzuar, 80 milionë, ndonëse kërkesa e tyre minimale është 90.
Por duke njohur marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy klubeve dhe kujtuar marrëveshjet e viteve të fundit si De Ligt, Koman, Duglas Kosta apo edhe Vidal, nuk do të ishte aspak çudi që akordi të vijë si gjithmonë në një rrugë të mesme mes kërkesës dhe ofertës, e thënë ndryshe te 70- 75 milionët. Fundja, duke parë raportin moshë-cilësi-çmim, Vlahoviç do t’ia vlente për një sakrificë të vogël financiare. Bisedimet do të vazhdojnë…
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL