Në muajt e fundit është thënë e shkruar gjithçka për të ardhmen e Lionel Mesit.
Në fund, argjentinasi kampion bote vendosi të zgjedhë aventurën amerikane, ku do të luajë për Inter Majemin. Por deri në vendimin përfundimtar të tij ka pasur lloj-lloj versionesh për atë që ndodhi në të gjithë këtë periudhë kohore dhe se si rrodhën ngjarjet. Sepse situata ndryshoi me kalimin e javëve derisa Leo vendosi të martën të merrte vendimin përfundimtar. Ai nuk donte që kjo të bëhej një telenovelë si dy vite më parë dhe që për më tepër përfundoi fatalisht për të. Disa muaj në të cilët kanë ndodhur shumë ngjarje me shumë të vërteta dhe gënjeshtra. Gazeta spanjolle “Marca” i ka bërë një analizë asaj çfarë ndodhi me Leon.
A është e vërtetë që Mesi dëshironte të luante për Barcelonën?
Po! Ky është një opsion që ai e konsideroi seriozisht, pasi foli me trajnerin Ksavi, i cili i kërkoi të kthehej sepse ai e llogariste si shumë të rëndësishëm në skuadër dhe se klubi ia përcolli këtë dëshirë edhe babait të tij. Sepse në fillim Mesi donte të luante në një kampionat të rëndësishëm për t’u përgatitur mirë për Kupën e Amerikës së ardhshme dhe për shkak të faktorit emocional që kthimi i tij në Barcelonë nënkuptonte për të.
A është e vërtetë që Barcelona ju bëri një ofertë zyrtare për të luajtur për klubin sezonin e ardhshëm?
Jo! Një ofertë zyrtare nuk u bë kurrë nga klubi katalanas. Atij iu paraqit një propozim pa firmë apo vulë nga klubi që ishte më shumë një deklaratë. Klubi la të kuptohej se nëse La Liga pranonte planin e fizibilitetit, Barcelona do të ishte e gatshme t’i paguante atij një shumë të caktuar parash, por pa asnjë garanci.
A është e vërtetë që gjithçka ishte një shfaqje, sepse Barcelona realisht nuk mund ta paguante Mesin?
Jo! Barcelona kishte përgatitur një plan për të paguar Mesin dhe ata ishin të bindur se mund ta arrinin atë, por kjo nuk mund të realizohej menjëherë. Nuk kishte kohë, sepse Leo donte një përgjigje të shpejtë.
Pse Mesi përfundimisht shkoi në Shtetet e Bashkuara dhe refuzoi Europën?
Leo ndryshoi mendje javët e fundit pas trajtimit që mori në Paris nga fansat. Diçka që e bëri të mendonte shumë për fërshëllimat dhe bërtitjet që duhej të pësonte. Ai nuk donte më shumë dhe për këtë arsye zgjodhi një kompeticion pa aq presion sa ai amerikan.
Pse u bindën në Arabi se Mesi do të shkonte në SHBA?
Siç do të thoshte dikush në bisedë, ishte një film që u montua. Ata i bënë Mesit një ofertë shumë të rëndësishme parash dhe besuan se ai do ta pranonte pa diskutim. Leo e dëgjoi ofertën, i falënderoi për interesimin dhe u tha se do të merrte një vendim pas pak. Nga këtu në Arabi ata menduan se ishte bërë, por kjo nuk u vërtetua kurrë në fund.
Çfarë arsyesh të tjera kishte që Mesi të mos vinte te Barcelona?
Mesi nuk donte të ishte arsyeja që lojtarët u shitën apo që bashkëlojtarët e tjerë duhej të ulnin pagat e tyre. E as ai nuk ka dashur të jetë arsyeja që ndër të tjera duhet mbyllur “Barça TV”. Këta faktorë patën një ndikim shumë të rëndësishëm në vendimin e tij.
A është e vërtetë që vendimi i Mesit u ndikua shumë nga ajo që ndodhi dy vjet më parë?
Po! Ka ndikuar shumë. Mesi e mësoi mësimin. Argjentinasi i dha shumë kohë Barcelonës për të zgjidhur çështjet e saj financiare. Ai nuk do ta zgjaste më, sepse ekzistonte rreziku që ta linin sërish të bllokuar.
A gënjeu Horge Mesi (babai i Leos) kur pas takimit të së hënës me Laportën tha se Lioneli donte të shkonte te Barça?
Jo! Kjo ishte dëshira e Leos. Laporta i kishte thënë se nuk mund të firmosnin me djalin e tij në atë moment dhe për këtë arsye Horge tha gjithashtu se shumë gjëra i mungonin. Leo mori vendimin përfundimtar të nesërmen.
PANORAMASPORT.AL