Tifo-grupi i Kombëtares së Kosovës, ‘Dardanët’ kanë dalë me një njoftim përpara ndeshjes ndaj Rumanisë.
Kosova përballet me Rumaninë në ndeshjen e parë para-kualifikuese për në Euro 2024 të muajit qershor.
Pas dy barazimeve, ndaj Izraelit dhe Andorrës, djelmoshat tanë nuk kanë vend për gabime, përcjellë lajmi.net.
Ndaj rumunëve u duhen pikët e plota, për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Kampionatin Evropian që do mbahet në Gjermani.
Kosova ka nevojë për përkrahje maksimale në këtë takim, dhe ashtu kanë premtuar se do ja bëjnë tifozët ‘dardanë’.
Megjithatë, ata kanë një kërkesë, që është pikët e plota dhe të respektohet mundi i tifozëve.
Më poshtë lajmi.net jua përcjellë njoftimin e plotë të tyre:
“Dardanët janë gati për spektakël dhe për t’i qëndruar afër Kosovës!
Kur na ndajnë 3 DITË prej ndeshjes së ardhshme kundër Rumanisë, tifogrupi ynë po bën përgatitjet e fundit të punës së madhe që kemi bërë gjatë kësaj periudhe kohore. Në bashkëpunim me koordinatorët e qyteteve ku janë të shpërndarë, jemi përkujdesur që asgjë mos t’ia lëmë rastësisë dhe që gjithçka të shkojë në drejtimin e duhur.
Ne do ta tregojmë kulturën e lartë edhe në sfidën e së premtes, duke u dëshmuar si futbollisti i 12-të i vërtetë për kombëtaren tonë. Përgjegjësitë dhe punët që na takojnë do t’i kryejmë me devotshmëri. Mund të mos jemi ata që japim asiste apo shënojmë në portën kundërshtare, por spektakli në tribuna me koreografi dhe risi tjera nuk do të mungojë.
Për fund, ftojmë që të gjithë anëtarët tonë të bashkërendohen me koordinatorët e qyteteve, në mënyrë që të marrim rrugë të përbashkuar drejt “Fadil Vokrrit” më 16 qershor. Po ashtu, kushdo që dëshiron të jetë afër kombëtares por që nuk posedon biletë, ndeshjen mund ta shikojë në Fanclubin tonë, që është pranë stadiumit.
Duam 3 pikët. Duam që të respektohet mundi i të gjithë tifozëve të Kosovës!
Hajde Kosovë!”, thuhej në njoftimin e tyre.
Kujtojmë që pas Rumanisë, Kosva përballet në Budapest me Bjellorusinë, më 19 qershor, nga ora 20:45./Lajmi.net/