Vetëm Interin me çdo kusht! Është kjo kërkesa e pakontestueshme e Romelu Lukakut ndaj klubit të Çelsit, i cili ka në pronësi kartonin e tij, përndryshe belgu mund të vendosë që të rebelohet. Sulmuesi 30-vjeçar është i vendosur për të qëndruar në Milano, edhe pse kontrata e huazimit ka skaduar.
Ndoshta, tani më shumë se kurrë “Big Rom” e ka kuptuar se bëri gabim që kërkoi të fitojë bastin me Çelsin, kur dy vite më parë la Interin për t’u rikthyer në skuadrën ku u formua si profesionist, ndonëse tani i duhet të luftojë me të gjithë botën.
Por premisat duket se luajnë të gjitha në favor të Romelu Lukakut, duke qenë se lëvizja e fundit e tij ishte e frikshme: Në drejtim të tij Çelsi kishte marrë një ofertë nga Arabia Saudite, prej 60 milionë eurosh për kartonin, plus 90 milionë euro si rrogë për futbollistin në total, për tri vitet e ardhshme (30 milionë euro neto në vit).
Por kjo ofertë, edhe pa u dëgjuar e vlerësuar nga drejtuesit e Çelsit është refuzuar nga Lukaku, i cili ka nënvizuar: “Unë dua që të rivësh numrin 9 tek Interi dhe nuk pranoj asnjë skuadër tjetër”.
Më i qartë se kaq, gjiganti belg nuk mund të ishte… Madje, edhe zërat e datë në 48 orët e fundit se në garë për të ishte futur së fundmi edhe Milani, gjithashtu janë përgënjeshtruar nga vetë Lukaku, nëpërmjet një urdhri ndaj avokatit të tij, për të sqaruar çështjen:
“Unë dhe klienti im nuk e dimë se nga kanë dalë këto zëra, por ndoshta mes Milanit dhe Çelsit nuk e mohoj dot nëse ka pasur ose jo një diskutim. Ajo mbi të cilën unë mund të garantoj është fakti se unë nuk kam marrë asnjë telefonatë dhe nuk kam pasur asnjë komunikim me asnjë prej drejtuesve të Milanit dhe mbi të gjitha nuk do të ketë. Idenë dhe dëshirën e Lukakut tani e njohim të gjithë. Romelu do vetëm Interin, por ndërkohë fjala e fundit i përket Çelsit. Në Londër presin ofertën e duhur. Të shohim se çfarë do të bëjë Interi, nëse vërtet kërkon që të këtë sërish në pronësi Lukakun”, u shpreh Sebastian Ledure.
Dhe për sa i përket kërkesës së Çelsit për kartonin e 30-vjeçarit, shifra së fundmi ka rënë ndjeshëm, nga 60-70 në 40 milionë euro, madje duke kujtuar edhe 115 milionët që paguan dy vite më parë për t’ia shkëputur Interit.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL