Nuk është edhe aq i ri, përkundrazi.
Roman Saifulin u desh të priste moshën 25-vjeçare për të bërë debutimin në Uimbëlldon, dhe gjithçka shkoi si një ëndërr të paktën deri në çerekfinale.
Pasi mbeti jashtë në fazën kualifikuese në 2021, dhe pasi u përjashtua në 2022 ashtu si gjithë tenistët rusë për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Saifulin e la surprizën për këtë vit. Ai kaloi radhasi spanjollin Bautista Agut në raundin e parë, francezin Mutet në të dytin, argjentinasin Peja në xhiron e tretë dhe kanadezin Shapovalov në të tetat e finaleve. Gjithsesi, përse e veçojmë këtë rus nga të tjerët, ndërsa në çerekfinalet e Uimbëlldonit janë edhe patriotët e tij Rubljov e Medvedev?
“La Gazeta delo Sport” i kushton një speciale ku thekson se Saifulin është një djalosh tepër i thjeshtë, që nuk ka sponsor, që nuk ka ndjekës në rrjetet sociale, dhe që cilësohet si tenisti “antihero”, dhe më pak “personazh” në Uimbëlldon.
“Ende nuk kam arritur ta kuptoj që kam arritur deri këtu. Kualifikimi për herë të parë deri në çerekfinale të Uimbëlldonit është diçka e mrekullueshme. Kjo gjë, gjithsesi, nuk më ka ndryshuar. Unë nuk do të shkoj në një hotel tjetër tani, edhe pse ai ku jam unë nuk është me 5 yje. Jam i lumtur që kam arritur në çerekfinale në debutim, ashtu si legjenda të së kaluarës”.
Saifulin bashkohet në këtë arritje me emra si Xhon Mekinro, Nik Qirios dhe Bjorn Borg. Si pasojë, ai hyri në 50 më të mirët e tenisit. Ndërkaq, Rusia po bëhet gati të shkëlqejë edhe tek femrat, pasi po e bën këtë tek djemtë.
Pasardhëse e të famshmeve dhe të bukurave Ana Kurnikova apo Maria Sharapova është 16-vjeçarja Mirra Andrejeva që ishte gjithashtu një sensacion.
Ajo arriti deri tek në të tetat e finaleve, e mundur më në fund nga amerikania me shumë më tepër përvojë, Medison Kejs, në tre sete./ h.ll/abcnews.al