Në ditën e parë të grumbullimit të Milanit mbizotëroi entuziazmi. Tifozë të shumtë ishin të pranishëm në rrethinat e “Milanello”-s që në orët e para të paradites për t’i uruar beniaminët e tyre për sezonin e ri. Pas drekës dhe konferencës së Piolit, në orën 17:00, kuqezinjtë zbritën në fushën stërvitore për ushtrimet e para fizike në prag të sezoni të ri, që për Milanin do të nisë më 21 gusht me sfidën kundër Bolonjës.
Pavarësisht brohorive dhe mbështetjes së hapur, tifozët shpalosën edhe një banderolë buzë terrenit ku po stërvitej grupi i lojtarëve nën urdhrat e Stefano Piolit. “Çdo repart duhet përforcuar, presim lojtarët e premtuar”, thuhej në parullën e tifozëve kuqezi.
Një mesazh i qartë për drejtuesit, të cilët duhet të punojnë fort për të përforcuar skuadrën pas një sezoni ku arritja më e madhe ishte renditja mes katër të parave në kampionat, së cilës i shtohet edhe një gjysmëfinale e Champions-it. Drejtuesit vijojnë punën, por një bilanc i saktë mund të bëhet pas 31 gushtit, që është edhe afati përfundimtar për të blerë futbollistë.
SKARONI OPTIMIST – Tifozët presin një ekip konkurrues, teksa garancitë e para nga dikush që i përket bordit vijnë pikërisht nga Paolo Skaroni. Në një deklaratë për “Sportmediaset”, ai ka theksuar: “Të fillosh përsëri me një sfidë të re është gjithmonë emocion. Shoh një entuziazëm të madh nga të gjithë dhe dëshirë për të arritur objektiva të përbashkëta.
Do të jetë një periudhë e përgatitjeve intensive, që do të pasohet nga turneu amerikan. Jemi entuziastë, sepse jemi skuadra italiane më e dashur në Shtetet e Bashkuara dhe sepse do të sfidojmë ekipe të klasit botëror”.
Nuk mungoi as komenti i presidenti të Milanit në lidhje me parullën e tifozëve. “Jam i lumtur që tifozët tanë mund të përqafojnë përsëri ekipin e tyre dhe jam i impresionuar nga reagimi i madh ndaj fushatës së abonimeve sezonale, që ka qenë më e mira e viteve të fundit. Kemi vërtet tifozë të mrekullueshëm”, përfundoi Skaroni deklaratën e tij.
PANORAMASPORT.AL