Njëzet e dy milionë euro u deshën për t’ia rrëmbyer Çelsit, teksa te Milani vjen me petkun e fantazistit. Kristian Pulisiç ka zgjedhur të mbajë fanellën me numrin 11, që deri një muaj më parë i përkiste Zlatan Ibrahimoviçit dhe ka firmosur me kuqezinjtë deri në vitin 2027. Detajet e transferimit dhe aspekte të tjera lidhur me aventurën e re, ai i ka treguar gjatë një interviste për “web”-in e “La Gazzetta dello Sport”.
Si ndiheni pas thuajse një jave në grupin kuqezi?
Jam i lumtur dhe i emocionuar. Fakti që do ta luaj me fanellën e Milanit do të më ndihmojë për një tjetër hap në karrierë. Dua të mësoj gjithçka rreth klubit, por edhe kulturës italiane.
Kur nisën kontaktet e para me Milanin?
Që kur kam qenë në kombëtare. Kur dëgjon se Milani po të kërkon, dëshiron të thuash po menjëherë. Fola me trajnerin dhe disa nga ish-shokët e skuadrës për të ardhur këtu. Pas disa ditësh isha i sigurt. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe kam bërë këtë zgjedhje.
Çfarë do të thotë për një amerikan të luajë në Europë?
Në vendin tim futbolli nuk është kryesor, megjithatë si sport është rritur shumë në vitet e fundit. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të luaja në Europë, e aq më tepër në një klub si Milani. Jam krenar dhe mirënjohës për këtë mundësi.
Duket se keni pasur një efekt te tifozët. Si ndiheni?
Shumë i emocionuar. Sot vizitova “Milanellon”-n dhe ndjeva vërtet aromë historie. Jam krenar që u bëra edhe unë pjesë e këtij klubi kaq madhor.
Përse zgjodhët fanellën me numrin 11 apo doni të ndiqni shembullin e ndonjë lojtari të veçantë?
Është numri i Ibrës dhe ka një domethënie legjendare. Boshllëkun e tij nuk e mbush dot, por numri më pëlqente. Pastaj, Milani ka pasur shumë lojtarë historikë me këtë numër, e të tjerë si Kaka që më marrosnin kur i shikoja të luanin. Edhe në organikën aktuale ka lojtarë me peshë.
Si shihet Milani në Shtetet e Bashkuara?
Si një klub i madh, me të cilin unë shpresoj të bëj gjëra të mëdha e të rikthehem në nivelin tim. Në Amerikë, Milani shihet me respekt dhe gëzon mbështetje të madhe.
Si mendoni se do të jetë impakti juaj në Itali?
Jam shumë i lumtur që jam rikthyer duke luajtur me disa ish-bashkëlojtarë të Çelsit, si Olivier Zhiru apo Tomori. Kemi folur disa herë, e për më tepër kemi edhe Loftus-Çikun me ne. Sot ishte dita ime e dytë e më duhet të kuptoj mirë taktikat dhe gjithashtu Serinë A.
Keni ndonjë model lojtari?
Duke qenë se tashmë jam pjesë e Milanit, do të thosha se Kaka ka qenë një ndër më të fortët që kam parë duke luajtur. Për mua ka qenë një idhull dhe ka qenë bukur kur erdhi të luante me Orlandon në Amerikë.
Cili është roli juaj i preferuar?
Në shumicën e karrierës kam luajtur si fantazisti ose anësor ofensiv në të majtë. Sidoqoftë, më pëlqen të krijoj situata të rrezikshme dhe me driblimet e mia të çaj mes mbrojtjes rivale.
Keni pasur kontakt me pronarët amerikanë?
Kam folur me disa nga pronarët. Është mirë të kesh lidhje me atdheun tënd.
Çfarë synimesh keni për këtë sezon të ri me klubin tuaj të ri?
Do të doja të fitoja ndonjë trofe. Do të synojmë titullin, edhe sepse do të ishte një trofe i ri për mua. Gjithashtu do të bëjmë maksimumin për Champions-in.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL