Transferimi i Andre Onanas nga Inter te Manchester United, ka shkaktuar një lëvizje “domino” sa i përket portierëve. Zikaltërit janë vendosur në kërkim të zëvendësuesit të kamerunasit dhe ideali për italianët është Yann Sommer i Bayern Munich.
Me Manuel Neuer që pritet të rikthehet titullar për rekordmenët gjermanë në sezonin e ardhshëm, zviceriani mendon të largohet dhe Inter i ofron mundësinë e statusit si titullar. Kjo lëvizje prek ndërkohë edhe Thomas Strakoshën.
Gardiani i kombëtares është pjesë e Brentford duke mbuluar rolin e portierit të dytë tek skuadra angleze, mirëpo sipas Sky Deutschland, Bayern e sheh si një opsion 28-vjeçarin sa herë që Neuer mund të shfaqë probleme fizike.
Gjermanët po monitorojnë situatën dhe po presin lëvizjen e Sommer për të nisur më pas “gjuetinë” për rolin e portierit të dytë. Strakosha është në listë, ndërsa te Bayern studiojnë edhe alternativa si Giorgi Mamardashvili i Valencias apo Dominik Kotarski i PAOK-ut.
Kujtojmë se Strakosha u transferua te Brentford verën e kaluar duke firmosur një kontratë deri në vitin 2026, mirëpo aventura e ishit të Lazios nuk shkoi sipas pritshmërive duke qenë se portieri numëron vetëm dy prezenca me anglezët në ndeshjet e Kupave ndërsa ende nuk ka debutuar në Premier League.