Milani po mendon edhe për sulmin dhe në këtë kuptim mes profileve të shumta të ndjekura ditët e fundit duket se zgjedhja ka rënë mbi Mehdi Taremin. Siç raporton “Sportmediaset”, Monkada dhe Furlani i kanë paraqitur një ofertë zyrtare klubit luzitan për sulmuesin.
Duket se në tavolinë janë hedhur 13 milionë euro, por të konsideruara të pamjaftueshme nga portugezët, të cilët kërkojnë nga 20 deri në 25 milionë euro pavarësisht se kontrata e iranianit skadon pas më pak se 10 muajve.
TAKIM – Ardhja e sulmuesit që përfundoi sezonin e kaluar te Porto me 31 gola në 51 ndeshje zyrtare, padyshim që do të përjashtonte atë të Samuel Çukvuezes së Vijarrealit.
Dihet tashmë që të dy nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian, por kërkesat e larta të “nëndetëses së verdhë” mund ta kenë shtyrë “djallin” që t’i drejtohet Taremit.
Nga i njëjti burim vjen edhe lajmi për një marrëveshje në parim mes sulmuesit dhe klubit kuqezi për një kontratë trevjeçare me tre milionë euro në sezon. Dialogët këto ditë në fakt po vazhdojnë mes Milanit, Portos dhe Zhorzh Mendeshit, menaxher i lojtarit, për të gjetur një akord që do t’i kënaqte të gjithë.
Një ofertë zyrtare në rritje mund të arrijë së shpejti, ndoshta rreth 20 milionë, nga kuqezinjtë.
EKITIKE – Përveç Taremit, sulmi i Milanit mund të pasurohet edhe me një njohje të vjetër. Drejtuesit mund të kthehen te Hugo Ekitike, i lindur në 2002-shin, të cilin “djalli” e ndoqi kur shënoi 11 gola në 26 ndeshje me Stade de Reims në sezonin 2021-2022 përpara se të magjepsej nga PSG-ja.
Aty ku në sezonin e fundit luajti pak e çka mund të jetë faktor për ta nxjerrë sërish në merkato. Në fakt, 34 prezencat në “Parc des Princes” të zbukuruara me 4 gola nuk kanë bindur askënd e Milani mund të tentojë huazimin.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL