Wayne Rooney duke bërë shaka ka sugjeruar se Harry Kane po mbahet si i burgosur te Tottenhami, pas spekulimeve që po qarkullojnë për të ardhmen e yllit anglez.
Tottenhami ka refuzuar disa oferta për Kane këtë verë, me gjigantin gjerman, Bayern Munich që ka shprehur interesimin më serioz për ta transferuar kapitenin anglez, raporton lajmi.net.
Ndërsa trajneri i ri i Tottenhamit, Ange Postecoglou ka bërë të ditur se Kane dëshiron të qëndrojë në klub, kjo gjë nuk e ka ndalur Wayne Rooney të thotë se sulmuesi po mbahet si i burgosur te klubi londinez.
“Harry Kane, për mua do të ishte lojtari ideal për t’iu bashkuar Manchester United. Ai duket sikur po mbahet si i burgosur te Tottenhami, duket shumë e vështirë për të që të largohet nga aty”, tha Rooney.
Raportohet se Kane veçse ka arritur akord verbal me Bayern Munichun, por se ky i fundit ka pasur dy oferta të refuzuara nga Tottenhami për sulmuesin anglez./Lajmi.net/