Trajneri i Gjilanit, Klodian Duro së bashku me mesfushorin, Arbnor Ramadani kanë dhënë një konferencë për shtyp përpara ndeshjes së nesërme.
Gjilani pret nesër në ‘Fadil Vokrri’ skuadrën e Progres Niederkorn, në kuadër të ndeshjes kualifikuese në Ligën e Konferencës.
Takimi i parë u mbyll me rezultat të barabartë 2:2 në Luksemburg, transmeton lajmi.net.
Kurse sot janë trajneri i ekipit dhe mesfushori që u shprehen optimist për ndeshjen e nesërme në konferencën e tyre për shtyp.
“Nëse luajmë futboll të mirë në fushën e lojës, besojmë se do të marrim maksimumin. Jam i kënaqur me gjithçka që kam gjetur te Gjilani. Nuk ka qenë situatë e lehtë, sepse jemi organizuar për këtë fazë në kohë rekord. Nuk ka qenë e lehtë të zëvendësojmë Koliçin si portier dhe Dabiqajn në mesfushë. Jam tepër i kënaqur. Jemi paraqitur denjësisht në Luksemburg. Sigurisht kemi për të bërë akoma pasi vetëm gjysma e punës është kryer. Është një kundërshtar që kërkon respekt, por nuk kemi frikë. Ndryshuam mirë nga ana taktike dhe arritëm të reagonim. Nuk ishte i lehtë rikthimi”, ka thënë Duro.
Trajneri gjithashtu tha se pret që të ketë përkrahje të fuqishme nga tifozët në tribuna, të cilët i llogarit si lojtar të 12-të.
“Do të hyjmë të bindur dhe të përqendruar. Kemi planin tonë dhe duke qenë të koncentruar nga ajo që kërkojmë, besoj se duke dhënë shpirtin dhe zemrën në fushë, do të kemi paraqitje dinjitoze”, përfundoi trajneri.
Arbnor Ramadani i realizoi të dy golat në barazimin 2:2, në ndeshjen e zhvilluar në Luksemburg. Edhe mesfushori me tipare sulmuese pret përkrahje nga tifozët.
“Shpresojmë ta kemi përkrahjen e të gjithëve. Do të jetë ndeshje e vështirë. Besoj se do të hyjmë në fushë duke dhënë maksimumin”, tha Ramadani.
Kujtojmë që ky takim zhvillohet nesër nga ora 20:00./Lajmi.net/