Ballkani vazhdon rrugëtimin në Evropë, por në kualifikueset për në Ligën e Konferencës.
Ludogorets fitoi 4:0 ndaj Ballkanit, në Bullgari, 4:2 në total nga dy ndeshjet, shkruan lajmi.net.
I gjithë takimi për 90 minuta i takoi vendasve, kjo vërehet edhe nga numri i golave.
Ludogorets shënoi mjaft herët, në minutën e 4’ të ndeshjes.
Pas një topi të humbur nga njëri nga lojtarët e Ballkanit, vendasit shënuan.
Ishte Bernard Tekpatey ai i cili tundi rrjetën për bullgarët.
Përveç golit të hershëm ata kishin edhe shumë raste të tjera.
Në disa prej tyre ndërhyri mirë Enea Kolici, e në raste të tjera nuk u treguan të saktë Ludogorets.
Ballkani ishin pothuajse inekzistent, duke mos rrezikuar aq sa duhet kampionin e Bullgarisë.
Albion Rrahmani kishte një mundësi mirëpo nuk e shfrytëzoi.
Në anën tjetër Ludogorets shënuan edhe njëherë në minutat e fundit të ndeshjes.
Ishte përsëri Tekpatey që tundi rrjetën e Kolicit.
Pjesa e parë u mbyll 2:0.
Edhe në pjesën e dytë loja u zhvillua në të mirë të bullgarëve. Ata madje shënuan edhe dy herë të tjera.
Një gabim trashanik nga Bajram Jashanica u konkretizua në gol nga Matis Tissera.
Për 4:0 u përkujdes Caio Vidal, i cili shënoi në minutën e 78’.
Pas kësaj humbje Ballkani vazhdon garën në kualifikueset për në Ligën e Konferencës, ndërsa Ludogorest në Ligën e Kampionëve./Lajmi.net/