Huan Kuadrado ka firmosur sot kontratën që e lidh me Interin. Një transferim i papritur për shumëkënd pas 8 viteve të tij të kaluara te bardhezinjtë e Juventusit e shpeshherë pjesëtar i polemikave mes dy skuadrave.
Por kolumbiani e ka nisur me shumë entuziazëm këtë aventurë të re në Milano. “Jam shumë i lumtur, falënderoj Zotin për këtë mundësi. Për mua është një nder që të jem këtu, në një nga skuadrat më të mëdha të Europës.
Kisha shumë oferta, por Italia është si një shtëpi e dytë për mua. Familja ime është shumë e lidhur me këtë vend, ekzistonte mundësia që të qëndroja këtu me një skuadër shumë të madhe, duke pasur parasysh historinë e këtij klubi. Zgjodha Interin pasi të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson në nivel botëror. E rëndësishme është se unë dhe familja ime ndjehemi mirë, kishim mundësinë që të qëndronim në atë që për ne është si shtëpi e dytë. Padyshim do të jetë zgjedhja më e mirë.
Pika ime e fortë? Entuziazmi, mundohem gjithmonë të bëj gjithçka me një buzëqeshje. Më pëlqen ta tregoj në fushë, mendoj se është një nga karakteristikat e mia më të rëndësishme”, tha kolumbiani për mediat e klubit pas firmës në kontratë.
PANORAMASPORT.AL