Futbolli ukrainas këtë vit do të ndiqet edhe më shumë dhe shkak për këtë është bërë vendimi i papritur i Oleksandr Usyk. Kampioni i Botës i peshave të rënda në boks, i cili mban brezin e ËBA, IBF dhe ËBO është regjistruar me një nga skuadrat e Premier Ligës ukrainase.
Ai po stërvitej me klubin e Polisja të Zhiromir për të qenë në formë dhe ajo që ka treguar në fushë, ka çuditur drejtuesit, të cilët i kanë ofruar një kontratë. Usyk ka pranuar dhe tashmë është i regjistruar në kampionatin ku aktivizohet edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Taulant Seferi.
Presidenti i klubit, Genadli Butkeviç, tregoi se çdo gjë për ta kishte qenë një surprizë e vërtetë, pasi kishin parë aftësitë e boksierit-futbollist i cili ka firmosur për një vit dhe do të luajë me fanellën me numrin 17.
“Na ka bërë shumë përshtypje në këtë periudhë që u stërvit me ne dhe përkushtimi i tij ishte një shembull i madh për të gjithë futbollistët tanë. Ndaj i propozuam që të qëndronte dhe dashuria e tij për futbollin bëri që ky bashkëpunim të bëhet i mundur. Ëndrra e tij për t’u bërë një futbollist profesionist po bëhet realitet”, tha presidenti i klubit për 36-vjeçarin.
Usyk kishte luajtur në ndeshje miqësore me këtë klub në vitin e kaluar, por tashmë do të ketë mundësinë të luajë edhe në kampionatin ukrainas.
PANORAMASPORT.AL