Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka pranuar se ishte i befasuar nga “intensiteti” i treguar nga Arsenali gjatë ndeshjes së tyre parasezonale në Los Angeles.
“Topçinjtë” fituan me rezultat 5-3 në miqësore falë golave të Bukayo Saka, Kai Havertz, Fabio Vieira dhe një dygolësh nga Leandro Trossard. Por ishte një miqësore që mori intensitet të lartë për shkak të 34 faulleve të mëdha, 22 prej të cilave ishin nga lojtarët e Arsenalit.
Duke folur pas ndeshjes, Xavi, i cili udhëhoqi Barçën drejt titullit të La Ligës sezonin e kaluar, tregoi pakënaqësinë e tij për mënyrën se si Arsenali i Mikel Arteta-s iu qas ndeshjes, përcjellë lajmi.net.
“I thashë Artetas në fund të lojës, ishte si një ndeshje e Ligës së Kampionëve me intensitetin që ata dhanë. Nuk ishte normale për një miqësore, por e kuptoj që të gjithë duan të fitojnë. Për ne, ishte miqësorja jonë e parë.”, tha Xavi.
Kur u pyet nëse intensiteti i lojës e befasoi Xavi-n, ai u përgjigj: “Jo i yni, por i Arsenalit, po. Nuk është normale të luash me kaq intensitet, duke bërë faulle taktike”./Lajmi.net/