Lutonit i është dhënë leja për të nisur sezonin e tyre të Premier Ligës pa instalimin e ngrohjes nëntokësore. Rregullat e ligës thonë se ngrohja nëntokësore kërkohet të jetë e pranishme në fushat e të 20- ta klubeve elitare të Anglisë. Por, sipas “The Mail”, një përjashtim i është bërë Lutonit, teksa klubi modest po përgatitet të rikthehet në futbollin elitar për herë të parë që nga viti 1992.
Ndeshja e tyre e parë në shtëpi, në stadiumin “Kenilworth Road” me kapacitet 10.000 vende – e cila ishte planifikuar për datën 19 gusht kundër Bërnlejt – tashmë është shtyrë, pasi investimi prej 10 milionë paundësh në rikonstruksionin e stadiumit të tyre nuk do të jetë gati në kohë. Lutoni po punon larg për rikonstruksionin e tribunës “Bobber Stand”. Por mungesa e ngrohjes nëntokësore do të bëjë që ekipet e tjera të shqetësohen për shtyrjen e mundshme të ndeshjeve gjatë muajve të dimrit. Klubi është në bisedime me Premier Ligën se si të parandalojnë kushtet e rënda të motit që pengojnë ndeshjet e tyre.
Kur ata luanin në ligat më të ulëta, rregulloret atje përcaktojnë se ngrohja nëntokësore ose mbulesat e ngricave ishin mënyra adekuate për të mbrojtur fushën. Por kjo nuk i pengoi ata që të shtynin një ndeshje me Miluollin në dhjetor, kur fusha e tyre ngriu tërësisht. Ndeshja e parë e Lutonit në sezonin 2023-‘24 zhvillohet në Brajton më 12 gusht. Ata më pas do të përballen me Çelsin dy javë më vonë, përpara se të presin Uest Hemin më 1 shtator. Kjo do të jetë ndeshja e tyre e fundit para pushimit të kombëtareve. Skuadra e Rob Eduardsit siguroi ngjitjen në Premier Ligë, pasi mundi Koventrin me penallti në finalen e “play off”-it në maj.
Lutoni u rikthye në elitën e futbollit anglez për herë të parë prej vitit 1992, pasi fitoi finalen me të shtrenjtë të historisë së futbollit (mbi 200 mln paund), duke iu bashkuar Bërnlejt dhe Shefilld Junajtidit, dy ekipeve të tjera që do të luajnë në elitë sezonin e ardhshëm. I themeluar në 1885, klubi mban nofkën e “hatters” (kapelabërësit), sepse prej 4 shekujsh është kjo industria më e madhe e qytetit. Me ngjitjen në Premier, Haland me shokë do të luajnë në një prej stadiumeve më të vjetra të historisë. “Kenilworth Road” është ndërtuar mes shtëpive në vitin 1905 dhe ka një kapacitet prej vetëm 10.356 spektatorësh me karrige druri që të dërgojnë në një epokë futbolli tjetër.
PANORAMASPORT.AL