Lajmi për përjashtimin nga Conference League, ishte padyshim i rëndë për Juventusin. Me “Zonjën e Vjetër” që do të mungojë në kompeticionet europiane pas 11 vitesh pjesëmarrjeve radhazi. Por përveç ndëshkimit sportiv, klubi italian penalizohet edhe nga ana financiare.
Vitin e kaluar, pavarësisht paraqitjes së dobët ku u eliminuan nga Championsi që në fazën e grupeve, bardhezinjtë e Allegrit arritën të arkëtonin plot 55 mln euro fitime. Ndërsa këtë vit humbjet llogaritet të shkojnë deri në 80 mln euro! Këtu përfshihen edhe mungesa e sponsorizimeve nga Jeep dhe Adidas.
Ishin pikërisht pjesëmarrjet në Champions League dhe arritjet deri në fazat finale të këtij kompeticioni që ndër vite kanë ndihmuar në rritjen sportive dhe financiare të klubit torinez.
Ndërsa pas goditjes financiare prej Covid-19, ndërhyrjeve të gabuara në merkato – me klubin që shpenzoi 100 mln euro vetëm për blerjen e Cristiano Ronaldos nga Reali, apo dhe blerje të tjera si Kulusevski dhe Arthur Melo – mungesa në Europë pas 11 vitesh vjen si një goditje e rëndë për arkat e klubit.
Vendin e skuadrës së Max Allegrit në Conference League, e zë Fiorentina. Që sezonin e fundit mbërriti deri në finalen e këtij kompeticioni. Por, skuadra e Vincenzo Italianos humbi 2-1 përballë West Hamit, dhe trofeu u nis drejt Londrës.