Koleksionin e medaljeve të Fill Foden duhet ta kenë zili në mbarë botën, por ai ka ende një objektiv.
Mesfushori i Mançester Sitit mbushi vetëm 23 vjeç në maj, por tashmë ka pesë tituj kampion në Angli dhe një medalje të Ligës së Kampioneve. Ai i ka ngritur të dy kupat vendëse në shumë raste dhe ka ndihmuar klubin e tij të fëmijërisë të fitojë tripletën. Por lavdia me kombëtaren e Anglisë i ka munguar deri më tani. I pyetur se çfarë i ka mbetur për të fituar në këtë sport, ai buzëqeshi dhe tha:
“Nuk e di! Por, padyshim që do të ishte mirë të fitonim diçka me kombëtaren. Jam i uritur të vazhdoj të fitoj çdo sezon. Për mua është koha të harroj sezonin e kaluar, edhe pse ishte i mrekullueshëm. Është koha që të përpiqemi të fitojmë të gjithë ata trofe përsëri”.
Dy javët e fundit të sezonit të kaluar ishin kaq emocionale për lojtarët e Pep Guardiolës, por shefi i tyre i pamëshirshëm ka pyetur skuadrën e tij nëse ata kanë oreks për të fituar sërish.
“Menaxheri thotë se shpreson që ne të kemi të njëjtën uri këtë sezon. Është shumë më e vështirë, pasi skuadrat do të duan t’ju mundin edhe më shumë se më parë pas asaj që bëmë sezonin e kaluar. Kështu që mendoj se ky sezon mund të jetë sfidues”.
Gjëra të mëdha priten nga Fodeni këtë sezon me Ilkai Gyndoanin, që tani është larguar bashkë me Rijad Mahrezin, i cili vetëm dje firmosi në Arabi. Iniesta nga Stokporti është përdorur në shumë role, megjithëse Guardiola beson se ai do të jetë pasardhësi i Kevin de Bryjnes. Foden dha një sinjal të asaj që mund të bëjë në rolin e mesfushorit belg, pasi ai la finalen e Champions-it kundër Interit i dëmtuar në pjesën e parë. Dhe Foden mendon se duke luajtur në qendër do ta lejojë atë që të tregojë më shumë nga repertori i tij fantastik.
“Unë do të isha në gjendje t’u tregoja njerëzve shumë më tepër se çfarë mund të bëj. Menaxheri e ka parë sesa kërcënues jam përpara porte dhe donte që unë të luaja më i avancuar. Tani në fazën përgatitore po ndodh që unë po luaj në këtë pozicion, por nuk e di nëse do të ndodhë edhe gjatë sezonit”.
Siti u zhvendos në Seul këtë fundjavë për të filluar përgatitjet për ndeshjen e fundit të turneut të tyre në Lindjen e Largët, kundër Atletikos së Madridit të dielën. Edhe shoku i skuadrës së tij, Kajl Uoker, fluturoi me skuadrën e Guardiolës pasi luajti kundër Bajernit, pavarësisht se këta të fundit duan të firmosin me mbrojtësin e djathtë.
PANORAMASPORT.AL