Ante Rebiç është zyrtarisht një futbollist i Beshiktashit. Rivalët e Tiranës në Ligën e Konferencës kanë mbyllur çdo gjë dhe sot kanë hedhur firmat në kontratën me sulmuesin i cili transferohet nga radhët e Milanit.
Futbollisti ka nënshkruar për dy vite, teksa klubi zbuloi detajet e marrëveshjes që ka nënshkruar me të. Sipas njoftimit në faqen e Beshiktash, Rebiç do të përfitojë një rrogë prej 2,5 milionë eurosh në sezon, një shumë prej 280 mijë eurosh si bonus për firmën, si dhe një shifër prej 10 mijë eurosh për çdo ndeshje në të cilën do të luajë në këtë periudhë kohe.
Rebiç i ishte bashkuar Milanit nga radhët e Eintraht Frakfurt në vitin 2019 dhe në këto vite ka koleksionuar 123 ndeshje dhe 29 gola me fanellën e kuqezinjve. Tani për të nis një aventurë e re në Turqi, të cilën do e fillojë më saktësisht pas ndeshjes së Beshiktash ndaj Tiranës, pasi ai nuk mund të aktivizohet në sfidën e kthimit ndaj bardhebluve në “Air Albania”.
PANORAMASPORT.AL