Hakan Çalhanoglu pritet të ketë një tjetër sezon si protagonist jo vetëm në mesfushën zikaltër, por për mënyrën si Interi do të paraqitet sezonin që do të nisë. Nga Japonia ku zikaltrit po kryejnë fazën e tyre përgatitore, turku ka analizuar për revistën “The Digest” gjendjen e skuadrës në këtë pikë të merkatos, duke treguar objektivat e tij dhe të skuadrës, por edhe duke hedhur kandidaturën si kapiten i ardhshëm i Interit.
Në çfarë pike është forma juaj?
Do të duhet kohë për t’u rikthyer në formë. I jam bashkuar skuadrës rreth 10 ditë më parë, sepse kisha një ndeshje me kombëtaren turke, por faza përgatitore është vërtet e vështirë. E tillë ama ka qenë gjithmonë dhe jam mësuar me të. Gjithçka shkon mirë, përveç vapës.
Ka ndryshime në skuadër gjatë çdo vere. I keni marrëdhëniet e mira me shokët tuaj të rinj?
Ndryshimet e lojtarëve janë të pashmangshme në botën e futbollit. Lojtarët e rinj janë të gjithë të zotë, të rinj dhe të fortë. Do të kontribuojnë për ekipin në të njëjtën mënyrë si lojtarët që janë larguar dhe ne përpiqemi t’i ndihmojmë në çdo mënyrë.
Veteranët si Handanoviç, Xheko e të tjerë janë larguar, por kanë mbërritur të rinj si Bisek, Fratezi e Turam. Me lojtarë me përvojë si ju, ekuilibri i ekipit duket i duhuri.
Jam dakord. Të rinjtë janë në formë dhe ne kemi përvojë. Mendoj se është një grup shumë i balancuar. Turam vjen nga Gjermania, kështu që ai duhet të kuptojë se çfarë është Interi dhe Bisek gjithashtu vjen nga një vend tjetër. Më duhet t’u tregoj se si funksionojnë gjërat në Itali.
A mendoni se Interi do të bëjë më mirë këtë sezon se sezonin e kaluar?
Ne kemi arritur shumë sezonin e kaluar. Ne fituam Kupën dhe Superkupën e Italisë dhe arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 13 viteve. Këtë sezon, ne duam të bëjmë mirë që në fillim. Jam i fokusuar veçanërisht në Serinë A. Ka disa skuadra të forta, por jemi të përgatitur mirë. Interi duhet të jetë në krye të tabelës.
Na tregoni pikat e forta të Interit.
Klubi po bën një punë të shkëlqyer. Fakti që ne kemi fituar dy Kupa për të dytin sezon radhazi, është sepse klubi po ecën shumë mirë dhe këtë sezon nuk do të jetë ndryshe. Ne lojtarët e kuptojmë këtë. Ka një ndjenjë uniteti mes lojtarëve dhe stafit në klub, jemi si familje.
Si ia del Interi të jetë familje?
Kjo varet nga lloji i lojtarëve që keni. Ky është viti im i tretë tek Interi dhe mendoj se të gjithë lojtarët në këtë ekip kanë zemër të madhe. Ata janë të gjithë djem argëtues dhe kur lojtarët e rinj vijnë të gjithë janë gati të ndihmojnë.
Nga Juventusi ka ardhur edhe Kuadrado. Si e përjetuat transferimin?
Më vjen mirë që ai është këtu. Është një lojtar i madh dhe nuk kam asnjë dyshim për aftësitë e tij. Mendoj se ai është këtu, sepse e di se Interi është i fortë. Me përvojën e tij Interi do të jetë edhe më i fortë.
Lautaro Martinez është kapiteni i ri dhe Nikolo Barela u bë zëvendëskapiten. A ka ndryshuar diçka në atmosferën e ekipit?
Mendoj se është shumë herët për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Unë jam në sezonin tim të tretë këtu, ata kanë qenë tek Interi për shumë më gjatë. Mendoj se do të bëjnë një punë të mirë, unë duke qenë më i madh se ata do të jem i lumtur t’i ndihmoj nëse është e nevojshme.
Ju jeni kapiten i kombëtares. Lidershipi kërkohet edhe tek Interi.
Mendoj se e njoh rolin e kapitenit. Unë kam përgjegjësinë të jem kapiten i kombëtares turke. Është një krenari e madhe për mua. Nëse Simone Inzagi, stafi apo klubi dëshirojnë, unë jam gati të jem kapiten. Unë di si të sillem. Por nuk ka rëndësi kush është kapiteni.
Transferimi juaj nga Milani tek Interi ishte befasues.
Kur më thirrën Piero Auzilio dhe Inzagi, kuptova se ishte një gjë e rëndësishme për mua. Për mua ishte një nder të thirresha në një klub si Interi. Kështu që menjëherë vendosa të lëvizja.
Në fund, na tregoni për finalen e Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar. Çfarë mësuat nga ajo sfidë?
Përpara ndeshjes, Siti thuhej se kishte një avantazh të qartë, por ne luajtëm në maksimumin e aftësive tona dhe mendoj se treguam atë që mund të bënim. Nuk shënuam, por patëm disa raste për të shënuar. Të luash në finalen e Ligës së Kampionëve ishte një eksperiencë e madhe. Çfarë na ka munguar? Nuk kemi pasur shumë fat.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL