Interi po punon në disa fronte në përpjekje për të kompletuar skuadrën në dispozicion të trajnerit Simone Inzagi dhe drejtuesit mund të mbyllin disa nga negociatat së shpejti.
Zikaltrit janë në avantazh të fortë për sigurimin e shërbimeve të sulmuesit të Uest Hemit, Xhanluka Skamaka.
Anglezët kërkojnë 30 milionë dhe nuk bëjnë zbritje.
Interi i është afruar 25 milionëve bashkë me bonuset dhe diferenca që ndan palët është tashmë 5 milionë.
Vullneti i lojtarit, që është vetëm Interi, mund ta tejkalojë këtë ngërç të fundit. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ish-talenti i Sasuolos mund të jetë që javën e ardhshme në Pinetina, madje ata e shohin të mundur që ai të debutojë me fanellën zikaltër në miqësoren kundër Egnatias në Ferrara në 13 gusht.
Skamaka pritet të firmosë një kontratë deri në vitin 2028 me 3.2 milionë euro në sezon. 24- vjeçari ka nisur kontaktet me ish-shokun e tij të skuadrës, Fratezin, të cilit i ka kërkuar edhe informacion për klubin e tij të ardhshëm.
“Nxito, të pres të të kem shok dhome”, ishte përgjigja me humor e mesfushorit të ri të Interit, i cili bashkëjetonte me sulmuesin në kohën kur luanin të dy te Sasuolo.